Aktualitet

Inceneratorët/ Dokumentet tregojnë rolin e Arben Ahmetajt në krijimin e koncesionit të Elbasanit!

Jo vetëm u përfshi në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, por Arben Ahmetaj kishte edhe rol thelbësor në përcaktimin e formës së procedurës së ndjekur. Dokumentet e siguruara nga Top Channel tregojnë mënyrën si përmes vartësve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ahmetaj përcaktoi të gjithë procedurën e vendimmarrjen e institucioneve të tjera të përfshira në proces.

Një dokument i datës 8 tetor 2014, firmosur nga Frederik Seiti, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i dikasterit të drejtuar nga Arben Ahmetaj, përcakton Zamir Stefanin si përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes në Komisionin e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit.

Por, cili ishte roli i Zamir Stefanit si anëtar i Komisionit? Përgjigjen e japin dëshmitë e dy anëtarëve të tjerë të komisionit, që miratuan koncesionin dhe janë nën akuzë. Para SPAK-ut, Etleva Kondi, përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë koncesion tha:

Juristi i Komisionit, i cili ishte në detyrën e Drejtorit Juridik dhe Legjislacionit në Ministrinë e Zhvillimit, Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (që fushë veprimtarie kishte dhe koncesionet), propozoi dhe argumentoi si ligjore idenë e referimit të zhvillimit të procedurës në kushte emergjente, referuar Ligjit për Prokurimin Publik, negociim pa shpallje. Na argumentoi se Ligji për Koncesionet nuk parashikon situata emergjente e konkretisht, dispozitat e këtij ligji shpreheshin se përveçse kur rregulloheshin ndryshe nga ky ligj, kuptimi i termave të përcaktuar në Ligjin e Prokurimit Publik zbatohet për këtë ligj në përputhje me rrethanat. Konkretisht, Nenin 3, pika 19, si dhe Nenin 33/1 të Ligjit për Prokurimin Publik, për Kushtet e Emergjencës.

Deklarata e Etleva Kondit përforcohet nga dëshmia, po në SPAK e Bardhul Çabirit, i cili në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishte në cilësinë e përfaqësuesit të Bashkisë së Elbasanit. Çabiri u pyet për anëtarët e tjerë të Komisionit, institucionet nga vinin dhe rolet e tyre. Në përgjigje shprehet:

Zamir Stefani, i cili më duket vjen nga Ministria e Ekonomisë e ishte jurist, drejtonte të gjithë procesin nga ana juridike.

Dy dëshmitë sugjerojnë se idea për dhënien e koncesionit me negociim pa shpallje, që binte ndesh me parashikimet e ligjit të prokurimeve buron nga Ministria e drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj, duke vënë në dyshim të gjitha pretendimet e ish-ministrit se ka pasur zero rol në gjithë procesin.