Aktualitet

Inceneratorët që nuk djegin rrezikojnë krizë të re mjedisore në vendin tonë!

Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 58 milion euro, por asnjëri nuk është në funksion, ndërsa malet me mbetje të krijuara rreth tyre rrezikojnë të kthehen në pika të reja të nxehta mjedisore. Prej kohësh, inceneratori i Elbasanit është i fikur dhe mbetjet që vijnë nga gjashtë bashkitë e qarkut kanë krijuar një mal gjigant plehrash në landfill. Pamje të ngjashme ofron edhe inceneratori i Fierit, ku gjithashtu një grumbull mbetjesh është krijuar brenda rrethimit. Ato depozitohen në landfill e nuk i nënshtrohen proceseve të tjera të seleksionimit, riciklimit apo djegies.

Inceneratori i Elbasanit është në remont, ndërsa i Fierit, ende nuk është vënë asnjë ditë në punë. Përtej kostove e akuzave për abuzim me fondet publike, ekspertët janë të shqetësuar se malet e plehrave po shkaktojnë krizë të re mjedisore në këto dy projekte. Olsi Nika, ekspert dhe drejtues i organizatës mjedisore EcoAlbania, thotë se mbetjet e depozituara pranë inceneratorëve rrezikojnë të ndosin ambientin përreth.

Lehtësisht ato mbetje kanë mundësi të bien në kontakt me faktorë biotikë e abiotikë që do të thotë me shiun, erën, rrëshqitjet e dherave për shkak të shirave e tërmeteve. Pra janë në kontakt shumë të qartë e të hapur. Ashtu siç janë në kontakt me shpendët, me gjitarët e vegjël, të cilët më pas mund të ndikojnë në tejçimin e kësaj ndotjeje, e cila për hir të së vërtetës, po shndërrohet në një hotspot nga pikëpamja mjedisore, në një zonë të nxehtë ku ka një grumbullim mjaft të përqëndruar të ndotjes.

Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas hetimeve për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës e pastrimit të parave ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetit socialist, Alqi Bllako dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. Administratorët kryesorë të kompanive koncesionare, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto gjithashtu akuzohen për korrupsion, por deri tani i kanë shpëtuar urdhër-arresteve.

Pasi për disa muaj u menaxhua nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në mars të vitit të kaluar, inceneratori i Elbasanit i kaloi shoqërisë me kapital publik, ECO-ELB, e krijuar nga të gjitha bashkitë e qarkut. Përmes një kërkese për pajisje me licensë të përshpejtuar për prodhimin e energjisë drejtuar Entit Rregullator të Energjisë, në prill 2022, shoqëria ECO- ELB e përshkruante si emergjente situatën e krijuar me mbetjet në inceneratorin e Elbasanit. Në dokument thuhet:

Gjatë periudhës dhjetor 2021- mars 2022, situata e mbetjeve ishte dhe vijon të mbetet emergjente. Nga data 15.12.2021, drejtori teknik i impiantit për shkak të mungesës së lëndëve të para të nevojshme për punën e impiantit,  urdhëroi fikjen e komanduar të tij. Që nga kjo datë, mbetjet vetëm trajtohen në landfilld (nuk digjen) dhe si i tillë nuk realizohet prodhimi i energjisë elektrike.

Nëntë muaj pas licensimit nga ERE, impianti i Elbasanit ende është jashtë funksionit e mali i plehrave sa vjen e lartësohet, edhe pse shoqëria ECO-ELB shpenzoi të tjera para’ shtesë për ta vendosur në punë. Bashkia e Elbasanit dhe administratori i shoqërisë ECO-ELB, Leli Kaja refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve mbi arsyet se pse inceneratori nuk djeg mbetje dhe mbi rreziqet mjedisore që shkakton groposja e mbetjeve në landfill.

Përmes një bisede telefonike, Farudin Arapi, administratori i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara i tha BIRN-it se impianti ka funksionuar për disa muaj e më pas pësoi defekt.

Fillimisht ai ka punuar në normalitet nga periudha e marsit deri në periudhën e gushtit. Si rregull bëhet një remont i pjesshëm dhe një gjë e tillë nisi të kryhej në shtator-tetor, por për shkak se kishte disa avari në pompat, që ishte një proces serioz që s’e mori përsipër asnjë nga kompanitë, u detyruam ta ndërpresim.

Arapi shtoi se impianti do të vendosej në punë së shpejti. Situata është e ngjashme në inceneratorin e Fierit, i cili ende nuk ka nisur të djegë mbetje. Sipas administratorit Arapi, nevojiten të tjera para’ nga Buxheti i Shtetit për të blerë pajisje shtesë dhe për ta vënë në punë. Pritet që ministritë e linjës të miratojnë fondin prej 2.8 milion eurosh për të vënë në funksion inceneratorin e Fierit./Zëri i Amerikës