Aktualitet

Inceneratori i Fierit, lihen në qeli 5 të arrestuarit më të fundit!

Lihen në burg 5 të arrestuarit për inceneratorin e Fierit, Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi. Në kërkim janë gjashtë të tjerë. Të arrestuarit e fundit akuzohen për korrupsion aktiv e pasiv, shpërdorim detyre e mashtrim me pasoja të rënda me skemat e TVSH-së. Në një njoftim të dy ditëve më parë, SPAK theksonte:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, njofton se ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK cilëson se objekti i hetimit të këtij procedimi penal janë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur në lidhjen e kontratës së koncesionit, me nr.5553/5, datë 24.10.2016, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vlerë të kontratës 32 831 440.85 (tridhjetë e dy milion e tetëqind e tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzet) euro, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Në vijim të hetimit, përveç të dhënave të bëra publike në njoftimet e mëparshme në lidhje me këtë procedim penal, kanë rezultuar edhe fakte penale të tjera. Nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Mjedisit në fillim dhe më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) deri në datën 30.06.2022, janë bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në shumën 4,202,967,084 lekë. Rezulton se nga ana e shtetasit Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në bashkëpunim me shtetasin Arenc Myrtezani, administrator i kësaj shoqërie, janë pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara në vlerën 4,000,000 Euro, për shërbime që nuk janë kryer, vlerë e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe e përfituar në sajë të mashtrimit nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka miratuar dhe më pas pasyqyruar/dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në vlerën 4,000,000 Euro, veprime në kundërshtim me ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave, nr.3, datë 15.02.2001, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.

Gjithashtu, SPAK sqaron se shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.