Aktualitet

Incident në Adriatik, një peshkarexhë dhe një velierë u përplasën në det të hapur!

Tjetër incident detar në Adriatik, 15 milje larg bregut të Durrësit. Peshkarexha “Perëndesha” dhe veliera “Blue Moon” me flamur anglez u përplasën rreth orës 02:30 të mëngjesit në det të hapur. Në peshkarexhë ndodheshin pesë persona, ndërsa në velierë, një çift britanik. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Në 24 orë ky është incidenti i dytë detar në gjirin e Durrësit, pasi atij të regjistruar dje kur peshkarexha “Elton 1” u godit nga trageti i linjës Durrës-Bari.

Një ditë më parë, tre peshkatarë rrezikuan të mbyteshin pasi peshkarexha me të cilën po lundronin iu fundos në det. Nga veprimet e para rezultoi se motopeshkarexha u godit nga trageti, i cili pezulloi lundrimin.

Rreth orës 00:05 të së mërkurës, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare njoftoi Policinë Kufitare të portit të Durrësit për peshkatarët që ndodheshin në motopeshkarexhën me konstrukt druri dhe që kërkonin ndihmë.

Menjëherë në ndihmë të tyre u nis Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare. Në njoftimin e Policisë Durrës thuhej:

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.