Politikë

Incident në Fier, thyhen xhama e zyrave zgjedhore të PS-së e PDIU-së

Në prag të nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, regjistrohet një incident në Fier. Persona ende të paidentifikuar goditën me gurë zyrat elektorale të Partisë Socialiste në pushtet dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet të Shpëtim Idrizit, pjesë e koalicionit opozitar të udhëhequr nga Partia Demokratike. Për pasojë u shkaktuan dëme në xhamat e tyre. Nga uniformat blu, ngjarja u konstatua rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën “Jani Bakalli”, pranë Poliklinikës së Fierit, në lagjen “1 Maj”. Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të saj dhe identifikimin e autorëve. Në një javë, në vendin tonë janë shënuar dy incidente me sfond politik.

Të dielën e kaluar, në Ditën e Verës, në Elbasan ku ndodheshin si kryeministri Rama ashtu dhe kryedemokrati Basha u shënua një përplasje fizike mes militantëve socialistë e demokratë dhe ndërhyri policia. Ndërkaq, në Labinot Fushë po të Elbasanit, pati një debat që degradoi në konflikt fizik mes kandidatit demokrat për deputet Luçiano Boçi e biznesmenit Gjergj Luca. Ngjarja ndodhi kur Boçi po dilte nga një takim zgjedhor. Ai tha se ngjarja ka prapavijë politike. Që të dy denoncuan dhunën në Prokurori duke kërkuar zbardhjen e incidentit.