Aktualitet

Incident para Kuvendit, një 32-vjeçar përplasi me makinë traun në hyrje të Parlamentit!

Një incident u regjistrua sot para selisë së Parlamentit, zonë që ruhet nga efektivë të Gardës së Republikës. Një 32-vjeçar të cilit i jepen inicialet M.B., dëmtoi me makinë traun në hyrje të Kuvendit. Në njoftimin zyrtar, thuhet se ai u shoqërua nga uniformat blu e po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi zyrtar:

Më datë 07.12.2022, te Parlamenti, shtetasi M. B., 32 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka dëmtuar traun e hyrjes në Parlament. 32-vjeçari është shoqëruar në komisariat dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, jo zyrtarisht mësohet se personi i përfshirë në këtë incident, i identifikuar si shtetasi Mariglen Berisha, banues në rrugën “Sitki Çiço” vuan nga probleme të lidhura me depresionin dhe kurohet me ilaçe. Ai ka tentuar parkimin e automjetit në zonën ku nuk lejohet dhe është e rezervuar për makinat e institucionit që kanë leje të posaçme.  Tashmë 32-vjeçari ndodhet në komisariatin nr.1 të policisë për veprime të mëtejshme hetimore.