Rajoni

Incidente në Kosovë në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale!

Në një konferencë që sot nisi me tensione në Prishtinë, Ekaterina Trendafilova kryetare e Gjykatës Speciale që heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-UÇK/së, tha se janë fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve. Pikërisht mbrojtja e dëshmitarëve përbën një prej arsyeve të krijimit të gjykatës me seli në Hagë të Holandës. Trendafilova shtoi se nuk ka dijeni nëse Prokuroria e Specializuar planifikon të ngrejë akuza për të tjerë.

Kur zyrtarja e lartë nisi të flasë, në sallë hynë disa persona që i frynë bilbilave. Ata thanë se nuk mund të lejojnë konferencën e asaj që e quajtën “përfaqësuese të një gjykate që nuk mund të sjellë drejtësi”. Pasi dolën nga salla, Trendafilova kërkoi rikthimin e tyre, që të mund të bënin pyetje.

Partia Social Demokrate, PSD njoftoi se aktivistë të saj organizuan protestën kundër Trendafilovës e gjithashtu shkruan “Non Grata” në automjetet e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti e Agron Kabashi, të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit.

Ndërkaq, në konferencën e sotme, Ekaterina Trendafilova ofroi detaje lidhur me rastet në Gjykatën Speciale.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës do të nisë më 15 shtator, ndërsa i Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, në fund të muajit. Sa i përket ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, puna po zhvillohet me intensitet.

Ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit rëndojnë akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Nga nëntori i vitit të kaluar, ata ndodhen në paraburgimin e Hagës. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Europës të vitit 2011, me autor senatorin zviceran, Dick Marty. Gjykata u themelua me votat e Kuvendit të Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.