Policia e Maqedonisë së Veriut ka kallëzuar penalisht shefin e sigurimit të kryeparlamentarit Afrim Gashi, policin i cili më 1 gusht në aeroportin e Shkupit me urdhër të Gashit shkoi për të monitoruar situatën e krijuar mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe policisë kufitare e kontrollit të sigurisë në aeroport.
Ai është pezulluar nga puna dhe ndaj tij rëndojnë kallëzimet për cenim të sigurisë dhe pengim i personit zyrtarë. Procedurë disiplinore është ngritur edhe ndaj dy policëve të tjerë.
“I denoncuari ka ardhur në Aeroportin e Shkupit me veturë në parkingun e sektorit VIP. Ka dalë nga vetura dhe ka nxjerrë armën, e ka përgatitur dhe përsëri e ka kthyer në bel. Policit që ka qenë i sistemuar te dera i është qasur me zë të lartë dhe i është kërcënuar. Polici është dërguar në Aeroport nga kryetari i Kuvendit me qëllim tejkalimin e mosmarrëveshjes së krijuar me presidenten e Kosovës. Ai bashkërisht me dy policë të tjerë, duke lëvizur nëpër pjesën ku nuk e kanë të lejuar të lëvizin, i janë kërcënuar me jetë të punësuarve në TAV dhe policëve duke kërkuar që presidenten ta dërgojnë me veturë deri te aeroplani”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Kryeministri Hirstian Mickoski tha se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe do të ketë përgjegjësi penale derisa vërtetohet vepra.
“Derisa institucionet konstatojnë tejkalim të procedurave apo kryerje të veprës penale, të jeni të sigurt se ai person do të dalë para përgjegjësisë. Askush nuk do të mund të jetë mbi ligjin. Derisa jam unë kryeministër, njerëz mbi ligjin nuk ka dhe nuk do të ketë”, tha Mickoski.
Më 1 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj.