Bota Sport

Indonezi, 182 viktima pas një ndeshjeje futbolli!

Në Indonezi, të paktën 182 persona gjetën vdekjen, pas një sfide futbolli. Trazirat nisën kur tifozët vërshuan në fushë, në përfundim të sfidës në Malang. Referuar burimeve spitalore, mes atyre që ndërruan jetë, një fëmijë 5 vjeç edhe dy agjentë të policisë. Shumë persona gjetën vdekjen, të shkelur nga turma.

Stadiumi Kanjuruhan u shndërrua në arenë përplasjesh të filluara nga tifozë të Arema Fc, që nuk pajtoheshin me humbjen me rezultatin 3-2 përballë rivalëve të përhershëm të skuadrës Persebaya Surabaya, klub me të cilin nuk humbisnin prej më shumë se 20 vitesh. Policia ndërhyri në përpjekje për t’i qetësuar, por pa sukses. Për të shpërndarë turmën, agjentët hodhën gaz lotsjellës, çka solli kaos e panik.

Stadiumi ka një kapacitet për të pritur deri në 42 mijë persona e të gjitha biletat për sfidën ishin shitur. Sipas të dhënave të autoriteteve, fushën e stadiumit e “pushtuan” 3 mijë vetë.

Jashtë impiantit sportiv, tifozët i vunë flakën shumë makinave, përfshirë një kamioni të policisë indoneziane. 13 automjete u shkatërruan në total. Qeveria indoneziane kërkoi falje e premtoi hetim të plotë.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo urdhëroi një hetim për masat e sigurisë gjatë takimit të futbollit. Në një fjalim televiziv, u shpreh se “ministri i Sportit, policia e drejtuesit e Federatës së Futbollit, duhet të bëjnë një vlerësim të detajuar të ndeshjes e procedurave të sigurisë”.