Aktualitet

Inflacioni bazë zbret në nivelin më të ulët që nga maji 2022!

Inflacioni bazë pësoi rënie të ndjeshme në muajin mars, duke prekur nivelin më të ulët prej majit të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 6.49% nga niveli rekord historik prej 8.74% ku qëndroi për muajt janar dhe shkurt. Por, rënia vjetore e inflacionit bazë në një masë të madhe i detyrohet edhe efektit të bazës krahasuese.

Inflacioni bazë nisi rritjen me ritme të shpejtë pikërisht në mars të vitit të kaluar dhe mbyllja e ciklit 12 mujor ka një efekt të konsiderueshëm statisikor në këtë rënie. Ndryshimi mujor i inflacionit bazë për marsin ishte 0.39%, rritje kjo më e lartë krahasuar me atë prej 0.21% të muajit shkurt.

Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar  produktet që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe energjetike.

Qëllimi i inflacionit bazë është “ta zhveshë” rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Duke qenë se përfaqëson komponentin më të qëndrueshëm të rritjes së çmimeve, ecuria e inflacionit bazë është veçanërisht e rëndësishme në këndvështrimin e vendimmarrjes së politikës monetare.

Inflacioni mesatar në ekonomi në muajt e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme dhe për marsin zbriti në 5.3%, niveli më i ulët prej shkurtit 2022. Kryesisht, rënia e inflacionit është përcaktuar nga ulja e çmimeve të karburanteve, por gjithashtu nga efekti statistikor i bazës krahasuese.

Pavarësisht zbutjes së muajve të fundit, rreziqet inflacioniste ende mbeten të pranishme dhe duken gjithnjë e më shumë të lidhura me ato që Banka e Shqipërisë i quan “efekte të raundit të dytë”. Ekonomia shqiptare po përballet me mungesë të forcës së punës, që po nxit një rritje të pagës mesatare me ritme të larta, prej disa tremujorësh radhazi.

Paralajmërimi i qeverisë për një rritje të fortë të pagave në sektorin publik këtë vit pritet të mbështesë qëndrueshmërinë e kërkesës së brendshme dhe të mbajë të larta presionet inflacioniste.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti përsëri normën bazë të interesit në muajin mars me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3%, niveli më lartë në dekadën e fundit.

Rënia e inflacionit mesatar dhe inflacionit bazë, për momentin ka të ngjarë të sjellë një stopim në ciklin e rritjes së interesave. Analistët financiarë mendojnë se një rritje e re e normës bazë ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e tretë, por e kushtëzuar nga të dhënat e reja të inflacionit, rritjes ekonomike dhe tregut të punës./Monitor