Aktualitet

Inflacioni në nivel rekord, në shtator arriti 8.1% për shkak të naftës dhe ushqimeve

Inflacioni ka kërcyer në 8.1% në shtator sipas Institutit të Statistikave, niveli më i lartë i regjistruar në më shumë se dy dekada.

Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, norma e inflacionit ishte 2.5%. Ndikimin më të madh ne shtator e kanë dhënë shtrenjtimi i fortë i çmimeve të ushqimeve me 4.9% si dhe transporti me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të karburanteve.

Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, rritja e çmimeve për të dyja këto grupe që marrin edhe gati gjysmën e buxheteve familjare ka rezultuar dy shifrore.

Brenda grupit të ushqimeve rritja e çmimeve ka qenë e lartë thuajse për të gjitha produktet, veçanërisht për artikujt e bulmetit, vajrave apo edhe e atyre të zarzavateve.

Instat raporton se shtrenjtimi ka vijuar edhe për mallrat e tjera të konsumit duke bërë që kostot e jetesës të rritjen ndjeshëm. Çmimet janë shtrenjtuar ndjeshëm për pagesat e qirasë dhe energjisë, për mobilimin e shtëpive, për veshmbathjet ndërsa janë rritur edhe shpenzimet për shëndetin.

Kjo normë inflacioni në 8.1% po arrin në gati 3-fish më e lartë se objektivi i bankës qendrore prej 3%. Vetëm pak ditë më parë Banka e Shqipërisë në përpjekje për ta frenuar atë ndërhyri sërish në politikën monetare me rritje të normës bazë të interesit në 2.25%.

Sinjalet negative të shtrenjtimit global të çmimeve tashmë janë reflektuar edhe në ekonominë shqiptare e cila ka shfaqur trend ngadalësimit duku u rritur me 2.2% në tremujorin e dytë, nga 5.9 % që ishte në tremujorin e parë të vitit.