Aktualitet

Inflacioni ngadalësohet, por çmimet e ushqimeve mbeten të larta!

Për të tretin muaj radhazi, rritja e çmimeve u ngadalësua në janar, por të ushqimeve vijojnë të larta. Sipas INSTAT-it, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimit të mallrave të konsumit zbriti në 7.2% në janar nga 7.4% që ishte në dhjetor dhe 8.3 në tetor, kur u shënua niveli më i lartë që nga viti ‘98. Pozitivisht ndikoi dhe ulja e inflacionit në Eurozonë, duke bërë që të kemi më pak inflacion të importuar.

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2023 është 7,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,7%. Ndryshimi mujor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2023, krahasuar me dhjetor 2022 është 1,1%.

Presionet inflacioniste po vijnë në ulje për shkak të bazës më të lartë krahasimore të vitit të mëparshëm kur filloi dhe shtrenjtimi i çmimeve. Megjithatë, shumë produkte mbeten të shtrenjta, sidomos ato ushqimore.

Rritja vjetore e çmimeve në janar, kryesisht u ndikua nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,67 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,56 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,52 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me +0,39 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” +0,04 pikë përqindje secili.

Krahasuar me muajin janar 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,6%, “Transporti” me 6,5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Veshje dhe këpucë” me 4,1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,8%, “Komunikimi” me 1,3% dhe “Shëndeti” me 1,0%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë e vezë” u rritën me 26,4%, pasuar nga nëngrupet “Vajra dhe yndyrna” me 21,4%, “Peshk” me 17,3%, “Bukë dhe drithra” me 15,3%, “Mish” me 14,4%, “Sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14,3%, “Zarzavate përfshirë patatet” me 7,0%, etj.