Film & Tv

“Inside Out 2” përsërit suksesin e filmit të parë më 2015, me një leksion fantastik për atë që pret të gjithë fëmijët herët a vonë – pubertetin. Kritikë.

Shanset janë të tilla, që një film i dytë, kur i pari është shumë i suksesshëm, dhe kompania prodhueshe është ‘Pixar’, të jetë po aq, në mos edhe më i mirë se i pari. Për ju që nuk e keni parë asnjëherë – edhe pse gjasat janë të pakta – jemi duke folur për “Inside Out”, një histori plot imagjinatë që tregon në mënyrë tejet krijuese atë që ndodh brenda kokës tonë. Të gjitha emocionet tona, që kur lindim, janë në këtë film, personazhe shumë argëtuese; disa më shumë se të tjerat, të cilat mundohet të bëjnë secilin prej nesh, atë që në fakt, jemi. Në filmin e parë njihemi me emocionet e Riley-t, në vitet e saj të para, emocione të cilat dirigjoheshin nga Lumturia, deri në momentin kur në moshën 10 vjeçare Trishtimi hyn në lojë për shkak të largimit me familjen nga qyteti i saj i lindjes. Në “Inside Out 2” protagonistja, tashme në prag të pubertetit do të njihet me emocione të reja, dhe ne do të kemi fatin të njihemi gjithashtu me personazhe të rinj. Një nga të parët që njohim është Nostalgjia – një plakushe me të bardha dhe syze miope, e cila sa herë që vendos të dalë largohet me stil nga Lumturia (zëri i Amy Poehler) dhe Trishtimi (zëri i Phyllis Smith), sepse siç thonë këto të fundit është shumë herët për të. [Nostalgjia në fakt është një nga temat e rrahura më shpesh në filmat e ‘Pixar’, sepse fuqia e saj për të na çuar në fëmijëri është e pakrahasueshme].

Filmat e animuar të ‘Pixar’ janë një garanci sa herë të bie rasti të shohësh një film të [animuar] tyre, përfshirja e ndjenjave është e pashmangshme; një testament i kinemasë për të gjithë familjen që i bën shikuesit, si me magji, më të lidhur me njëri tjetrin  pasi kanë parë filmin.

Emocionet e dikurshme [të protagonistes] kanë sërish vendin e tyre në këtë kapitull. Zemërimi (Lewis Black), Frika (Tony Hale) dhe Neveria (Liza Lapira) gjenden bashkë me Lumturinë dhe Trishtimin në kullën magjike brenda mendjes së Riley-t (Kensington Tallman), e cila tashmë, në një faze të re të jetës së saj do të njihet me Ankthin (Maya Hawke), Zilinë (Aya Edebiri), Turpin (Paul Walter Hauser) dhe Injorimi (Adèle Exarchopoulos). Ndjesitë e reja të Riley-t do të përballen me ato të vjetra, dhe Lumturia nuk do të jetë më dirigjentja e ndjesive të vajzës, sepse Ankthi do ta marrë para shumicën e kohës. Por kjo nuk do të bëjë që Lumturia dhe grupi i saj të dorëzohen kollaj para emocioneve të reja të vajzës së tyre.

Larg prindërve të saj, raporti me të cilët, për shkak të ndjenjave nuk është më i njëjti, në kampin e hokeit me moshatare të tjera, do të përjetojë momente që do të shënojnë jetën e saj përgjithmonë.

Nëse filmi i parë ishte më i kuptueshëm për fëmijët, ky është absolutisht i detyrueshëm të shihet në shoqërinë e prindërve për shkak të përballjes me ndjesi që fëmijët o nuk i kanë përjetuar ende ose janë duke i përjetuar, dhe për këtë do të duhet të flitet gjatë e sidomos pas filmit. Regjisori Kelsey Mann dhe skenaristët Meg LaFauve e Dave Holstain, e çojnë historinë në territor të pashkelur dhe më të komplikuar. Nëse emocionet e para janë të kuptueshme nga fëmijët, këto të rejat jo gjithmonë janë të kaluara.

Filmi bën një punë fantastike për të treguar ndjesinë e Ankthit, duke mbase shmangur orë të tëra terapie në të ardhmen. Sepse vetëm mbasi të kesh kuptuar mekanizmat e emocioneve të tua, mënyra se si ato veprojnë, e ke të kollajtë të mos ngelesh peng i tyre. Filmi lundron me shumë kujdes nëpër të gjithë ato peripeci të sikletshme të moshës plot ndryshime të pubertetit, për të cilët prindërit shpesh nuk dinë si të sillen dhe po aq shpesh e injorojnë. Ky film (dhe i pari para tij) është si një manual përdorimi i ndjesive të tua në një përrallë shumë emocionuese plot imagjinatë.

Është thuajse e pamundur të kem parë një film të ‘Pixar’ dhe të mos jem prekur thellësisht, në një moment apo në një tjetër, kjo është fuqia e jashtëzakonshme që filmat e animuar të kësaj kompanie prodhimi kanë. Loja e tyre me emocionet si edhe kujdesi që tregojnë për to, i çon ata në një ligë krejt tjetër të këtij zhanri filmik, totalisht të pakrahasueshëm me rivalët e tyre. Aftësia për të kthyer copëza të jetës reale në personazhe imagjinare dhe histori përrallore për të ndihmuar audiencën të kuptojë veten dhe tjetrin, e rrjedhimisht për të qënë më i mirë me veten dhe tjetrin, është sekreti i suksesit të çdo filmi që mban vulën e tyre.

“Inside Out 2” është duke u shfaqur në Cineplexx.