Aktualitet

INSTAT: Eksportet e importet me rritjen më të ulët prej 2021!

Tregtia e mallrave është ngadalësuar në muajin qershor si ndikim i drejtpërdrejtë nga çmimet e larta të produkteve, që vijojnë të jenë në trend rritës. Sipas të dhënave të INSTAT eksportet e mallrave në muajin qershor u rritën me 32.2%, në raport me një vit më parë. Por kjo është rritja më e ulët që prej prillit të vitit të kaluar.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me importet që kanë pësuar një rritje me 20.8%, por që është në rënie në raport me importet në muajt e kaluar. Ngadalësimi i tregtisë reflekton po ashtu edhe ulje të kërkesës për konsum.

Ndërsa si gjashtëmujor Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë rreth 253 miliardë lekë, ku në vend të parë janë eksportet e tekstileve dhe këpucëve, ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe mineralet, lëndë djegëse dhe energjia elektrike.

Kurse importet arritën në vlerën e 446 miliardë lekë, ku kryesojnë importet e makinerive e pjesëve të këmbimit, më pas janë mineralet e lëndët djegëse përfshirë dhe energjinë elektrike dhe në vend të tretë renditen materialet e ndërtimit.

Shkëmbimet tregtare për gjashtëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 60,2 % të gjithë tregtisë. Ndërsa partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia 31,4% të vlerës së tregtisë, Turqia 8,4 %, Greqia me 6,8 % dhe Gjermania 6,6 %.