Aktualitet

INSTAT: Në 5 muaj janë eksportuar 39.5 mld lekë më shumë se në 2020!

Tregtia e mallrave vijon të përmirësohet sipas të dhënave që vijnë nga INSTAT. Në muajin maj eksportet e mallrave u dyfishuan dhe arritën në vlerën e 33 mld lekë, duke u rritur me 52,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa sipas raportit për periudhën janar-maj janë eksportuar mallra me vlerë 142 mld lekë.

Në pesëmujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 142 mld lekë, duke u rritur me 38,6 %. Deficiti tregtar arriti vlerën 145 mld lekë, duke u rritur me 24,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020, -thuhet në raportin e INSTAT.

Eksportet, gjatë këtij pesëmujori janë rritur me 38,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +13,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,6 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,7 pikë përqindje. Negativisht ka ndikuar grupi: “Prodhime druri dhe letre” me -0,03 pikë përqindje.

Ndërsa nga ana tjetër janë rritur me 30,9 % krahasuar me vitin e kaluar pasi importet e mallrave arritën vlerën 287 mld lekë, dhe ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë materialet për makineri.

Si pesë-mujor, importet janë rritur me 30,9 %, krahasuar me pesëmujorin e parë 2020. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +10,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,4 pikë përqindje, Produkte kimike dhe plastike” me +5,0 pikë përqindje, -vijon më tej raporti.

Gjatë këtij pesë-mujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (32,5 %), Kosova (72,2 %) dhe Spanja (30,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Mbretëria e Bashkuar (29,4 %) dhe Ukraina (35,5 %). Ndërkohë rritje e importeve, në krahasim me një vit më parë, është regjistruar me: Italinë (44,2 %), Turqinë (52,8 %) dhe Kinën (38,3 %).