Aktualitet

INSTAT: Shqiptarët, “të fiksuar” pas informacioneve mbi shëndetin në internet!

Pandemia dhe izolimi nga COVID-19, ka bërë që shqiptarët të shpenzojnë shumë më tepër kohë në internet gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020 nga grupmosha 16-74 vjeç, e përdorin internetin 72,2% e popullsisë, nga të cilët 88,2% çdo ditë. Ndërkohë në vitin 2019 ky tregues ishte 68.6% , nga të cilët 87,1 % e përdornin atë çdo ditë.

Sipas raportit, interneti  është përdorur më së shumti për kërkim informacioni mbi shëndetin, me një rritje prej 8.7% krahasuar me vitin 2019.

Sa i përket blerjeve onlinë sipas gjinisë, gjatë vitit 2020 gratë kanë kryer më shumë blerje për: produkte shtëpiake, produkte për kujdes personal  si dhe produkte për fëmijë apo lodra për ta. Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për artikuj sportivë, shërbimet e ushqimit nga restorantet si dhe filma, seriale televizive apo DVD.

Po ashtu është rritur edhe numri i qytetarëve që ka marrë shërbim në platformat online të institucioneve të ndryshme, ku 93,9% e individëve që kanë ndërvepruar me autoritetet publike nëpërmjet internetit, kanë mbetur të kënaqur me shërbimet publike të ofruara.