Tech

Intel planifikon të pushojë nga puna mijëra punonjës, shkak shitja e dobët e kompjuterëve!

Prodhuesi i çipave, Intel po planifikon të reduktojë në mijëra numrin e punonjësve, pasi kjo kompani po përballet me rënie të shitjes së kompjuterëve. Largimet nga puna do të zyrtarizohen në fund të këtij muaji, e disa prej divizioneve të Intel, përfshirë atë të shitjes dhe marketingut, mund të mbesin pa 20% të punonjësve.

Kjo kompani gjatë korrikut kishte 113.700 të punësuar dhe Intel ka refuzuar të japë ndonjë koment lidhur me këtë çështje. Në po të njëjtin muaj, kompania zvogëloi prognozat për shitje, pasi rezultatet nga tremujori i parë tregonin për rezultate të dobëta në shitje.

Inflacioni i madh, hapja e shkollave dhe shumë faktorë tjerë bënë që njerëzit të shpenzojnë më pak në kompjuterë. Prodhuesit e çipave gjithashtu ishin nën presion të madh nga masat anti-COVID, si dhe lufta në Ukrainë që ndikon në zinxhirin furnizues. Rikujtojmë, se superkompjuteri i parë evropian, i aftë për të kryer më shumë se një kuintilion operacione kompjuterike në sekondë, do të ndërtohet në një qendër kërkimore në Gjermani.

Siç raporton “Julich Research Center” që gjendet në afërsi të Kolnit, fuqia llogaritëse e këtij superkompjuteri do të jetë më e madhe se pesë milionë laptopë. I quajtur ExaFLOPS, superkompjuteri do të ketë edhe një emër tjetër, Jupiter, që do të krijohet nga kompania IBM. Qëllimi i kompjuterit është të kryejë përllogaritje shkencore sa i përket ndryshimeve klimatike, si të luftohet një pandemi apo të sigurohet energjia e ripërtërishme.

Ndërkaq, një nga modelet e kompjuterit të parë, i krijuar nga themeluesit e Apple, u shit në ankand në SHBA. Kompjuteri Apple-1 u krijua në 1976 nga Steve Jobs, Steve Wozniak dhe disa njerëz të tjerë. Një nga modelet e krijuara me dorë është ofruar nga shtëpia e ankandeve “John Moran Auctioneers”. Kompjuteri u ofrua me një çmim fillestar prej 200 mijë dollarësh dhe pritej të arrinte dy deri në trefishin e çmimit.