Bota

Inteligjenca amerikane: Luftimet në Ukrainë do të ngadalësohen në dimër!

Luftimet në Ukrainë janë ngadalësuar dhe ka të ngjarë që kjo tendencë të vazhdojë në muajt e ardhshëm të dimrit. Të këtij mendimi janë agjencitë e inteligjencës amerikane. “Por, nuk ka të dhëna për zbehje të rezistencës nga ana e forcave ukrainase”, sipas drejtoreshës së Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, Avril Haines.

Të dyja palët po tentojnë “të riparohen, rifurnizohen e rindërtohen” për çdo kundërsulm në pranverë. Ky njoftim vjen pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë së Ukrainës. Kanë kaluar mbi nëntë muaj që nga koha kur trupat e Moskës nisë pushtimin e vendit fqinj e sipas një bilanci, Rusia ka humbur mbi gjysmën e tokës që pushtoi.

Gjatë një forumi të Mbrojtjes në Kaliforni, Haines tha:

Aktualisht, shumica e luftimeve po zhvillohen përreth Bahmutit, në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut. Luftimet janë ngadalësuar pas tërheqjes së trupave ruse nga perëndimi i rajonit të Khersonit, muajin e kaluar. Po shohim një ritëm të reduktuar në konflikt. Ne presim që kjo të ketë të ngjarë të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

Si ushtria e Ukrainës, ashtu edhe ajo e Rusisë do të tentojnë të përgatiten për çdo kundërofensivë të mundshme pas dimrit. Por, në fakt kemi një dozë të konsiderueshme të skepticizmit, nëse rusët do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë. Unë jam më optimiste për ukrainasit, bazuar në këtë hark kohor.

Inteligjenca amerikane beson se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka një pasqyrë të plotë se sa është duke u sfiduar aktualisht ushtria e tij në këtë fazë.

Ne shohim mungesë municionesh, rënie morali, probleme të furnizimit, një sërë shqetësimesh me të cilat ata po përballen.

Siç dihet, Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt. Moska është goditur me sanksione të ashpra nga Perëndimi, ndërsa Kievi po furnizohet vazhdimisht me armatime, me qëllim që të përballet me trupat ruse.