Bota

Intensifikohet ofensiva ruse në Donbas të Ukrainës, rusët me tanke Terminator!

Informacionet e shërbimeve britanike të Inteligjencës tregojnë një situatë shumë të vështirë nga ofensiva ruse në Donbas, në lindje të Ukrainës. Moska po përdor tanket Terminator. Ndërkohë, administrata ushtarake në Lugansk bën të ditur se rusët po tentojnë të depërtojnë në Severodonjeck nga katër drejtime, edhe pse deri tani nuk po ia dalin. U shkatërrua një urë që ishte goditur në vitin 2014, çka ndërlikon evakuimet e civilëve nga zona. Rusët po minojnë rrugët dhe urat në rajonin jugor Kherson. Po ashtu, raportohet se përgatisin ofensivën në Izyum e hedhin bomba në Kharkiv, por forcat ukrainase ruajnë pozicionet.

Më herët, agjencia ruse e lajmeve, Interfax, tha se “Moska po shqyrton mundësinë e këmbimit të të burgosurve të Azovstalit me politikanin ukrainas e pro-rus, Viktor Medvedchuk”, i cili përballet me akuza penale në Ukrainë. Por, negociatorët rusë e hodhën poshtë një mundësi të tillë, duke e përjashtuar si opsion. Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e lidh fatin e bisedimeve të paqes me atë të ushtarakëve-heronj. Por, Moska po jep sinjale se të burgosurit e luftës i pret gjyqi.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video në të cilën komentohet se aty mund të shihet momenti kur trupat ruse e kanë kapur Serhiy Volynskiy-n, komandantin e marinës ukrainase.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me luftën në Ukrainë, gjithashtu besohet se rreth 100 mijë civilë vazhdojnë të mbeten në Mariupol, ku dhe përballen me situatë të rëndë. Zyrtarët vendas akuzojnë Rusinë për kryerje të mizorive në këtë qytet, duke përfshirë sulmin në një maternitet dhe bombardimin e një teatri, ku prej javësh qëndronin të strehuar mijëra njerëz.

Në disa imazhe satelitore të publikuara që në muajin prill, shihen ato që duken si varreza masive në dalje të Mariupolit. Kryebashkiaku, Vadym Boychenko dha alarmin se “qyteti është në prag të shpërthimit të sëmundjeve infektuese”. Në Ukrainë shkoi sot presidenti polak, Duda, i cili pjesë të axhendës së vizitës ka edhe fjalimin drejtuar Parlamentit ukrainas. Polonia është vendi që ka pranuar pjesën më të madhe të refugjatëve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë.