Aktualitet Politikë

Interpelanca në Kuvend, Salianji-Çuçit: Ervis Martinajn e njoftuat të largohej!

Gjatë interpelancës me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, deputeti demokrat Ervin Salinaji tha se “Policia e Shtetit nuk mund të kapë dot grupet kriminale në vend”. Ai përmendi emra, duke hedhur akuza se policia e di se ku janë, por nuk arrin t’i arrestojë. Më tej, shtoi se “blutë nuk japin dot përgjigje se ku është Ervis Martinaj”, kur sipas tij, “ishin vetë që e lajmëruan të largohej, 5 minuta para se të shkonin në hotelin ku po qëndronte”.

Norma e vrasjeve për 100 mijë banorë, Shqipëria është e pesta. Më shkruajnë prindër të personave që janë vrarë, policia ishte 10 metra larg dhe nuk ndërhynte dot, këto nuk janë imagjinata. Policia ishte aty dhe ishte e pafuqishme, qëndronin aty sikur të ishin pula.

Keni kaluar një ligj këtu që do mbyllet vetting-u për dy vite, por ka dështuar! Keni thënë se do vini vetting në Polici, kush do ta bëjë, i famshmi Ard Veliu, i cili në një letër dorëheqjeje ka bërë 50 gabime drejtshkrimore?!

Ju doni një drejtim tjetër se erdhën zgjedhjet, që t’i bëni bashkë me kriminelët. Di gjë sot ku e ke Talo Çelën? Po e di që Policia e Shtetit del nëpër qytet. Ku e keni Suel Çelën? Po Fatos Goga? Florenc Çapja? Ervis Martinaj gjallë a vdekur, ndërkohë që ju e dini që  5 minuta para se të shkonit në hotel e keni lajmëruar për ta larguar se keni pasur tjetër plan.

Grupet kriminale janë sofistikuar. Nuk mund të them që vrasja në Kozare ku fqinji vret fqinji është përgjegjësi e juaja, por kur vritet Erjon Çela dhe plagosen 4 të tjerë, përgjegjësia është e juaja!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nuk tha asnjë fjalë për Ervis Martinajn. Me gjuhën e shifrave, bëri krahasim me vitet para 2013-ës.

Jam lodhur për të gjetur statistika para 2013-ës. I kemi çuar në 3168 ndëshkimet. Le të vijmë tek numri i vrasjeve me dashje. Në vitin 2006 kishim 95 viktima, më 2007-ën, 105 viktima. Në vitin 2011 kishte 142 viktima. Ndërsa në vitet 2014-2018 ranë vrasjet. Deri në vitin 2021 jemi ulur në 61 numër vrasjesh. Shikoni çfarë ndryshimi, janë statistika jo opinion.