Bota

Iran, vritet një ushtarak i lartë/Teherani zotohet për hakmarrje!

Atentat vdekjeprurës ndaj një ushtaraku të lartë në Iran. Raportohet se koloneli i Gardës Revolucionare Islamike, Sayad Khodai, u qëllua për vdekje në Teheran, kryeqytetin e Republikës Islamike, ndërsa vrasje të profilit të tillë cilësohen “të rralla” në këtë vend. Dy persona të armatosur qëlluan me armë zjarri në drejtim të banesës së Khodait. Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa autoritetet iraniane nisën hetime për identifikimin e kapjen e të dyshuarve.

Ky sulm përbën shkeljen më të madhe sa i përket situatës së sigurisë në Iran që prej vitit 2020, kur u vra një shkencëtar i njohur. Kolonel Sayad Khodai ka qenë anëtar i forcave elitë, njësit i Gardës Revolucionare Islamike që kryen operacione jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e akuzojnë këtë forcë për mbështetje të organizatave terroriste dhe gjithashtu e konsiderojnë “përgjegjëse” për sulmet në Lindjen e Mesme. Presidenti Ebrahim Raisi u zotua për hakmarrje.

Në një dalje për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, deklaroi:

Koloneli u vra nga armiq të betuar të Iranit, të cilët janë agjentë terroristë, të lidhur me qëndrime arrogante në nivel global.

Nuk ka dyshime se kjo fjali e zyrtarit të Teheranit ishte referencë e qartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre.

Më tej, Khatibzadeh theksoi:

Eshtë për të ardhur keq, që shtetet e tjera që pretendojnë se luftojnë terrorizmin janë duke heshtur.

Më herët, zyrtarët iranianë kanë akuzuar Izraelin se qëndron pas të tilla vrasjeve të profilit të lartë. Khodai rezulton të jetë i dyti ushtarak i lartë iranian i ekzekutuar në vitet e fundit. Në fillim të vitit 2020, komandanti më i fuqishëm ushtarak i Iranit, gjenerali Qasem Soleimani u vra në një sulm ajror amerikan në Irak, çka çoi në tensione të forta në rajonin e Lindjes së Mesme. Sulmin me dron amerikan në Bagdad e urdhëroi presidenti i atëhershëm, Donald Trump.