Bota

Irani arreston një shtetas suedez për akuza spiunazhi

Një qytetar i Suedisë është arrestuar në Iran nën akuza për spiunazh, raportoi media shtetërore iraniane, pa dhënë detaje për identitetin e të dyshuarit apo datën se kur është arrestuar.

Njoftimi vjen teksa tensionet midis Teheranit dhe Stokholmit janë rritur pasi një gjykatë suedeze dënoi me burgim të përjetshëm një ish-zyrtar iranian. Ai u dënua për ekzekutime masive dhe torturë të të burgosurve politikë në Iran në vitet 1980.

Ministria e Jashtme e Suedisë tha se është në dijeni për rastin.

“Ky është një rast i njohur dhe që po vazhdon, në të cilin ministria ka kohë që po punon”, tha një zëdhënëse e kësaj ministrie për Reuters.

Zëdhënësja tha se i arrestuari është një shtetas suedez, për të cilin Ministria e Jashtme suedeze kishte thënë në maj se ishte arrestuar në Iran.

Atëbotë, Irani nuk kishte raportuar për arrestimin e këtij shtetasi të Suedisë.

Ndërkaq, Ministria e Inteligjencës së Iranit tha përmes një deklarate se “i dyshuari ka qenë nën vëzhgim… gjatë disa udhëtimeve të mëhershme në Iran për shkak të sjelljes dhe kontakteve të dyshimta”.

Në deklaratë u tha se i dyshuari ka vizituar “qytetet iraniane që nuk bëjnë pjesë në destinacionet turistike”. Sipas Iranit, i dyshuari po ashtu ka vizituar Izraelin – armikun kryesor të Republikës Islamike – para se të qëndronte në Iran.

Sipas kësaj ministrie, i dyshuari është arrestuar teksa po bëhej gati që të largohej nga Irani.

Irani ka arrestuar dhjetëra shtetas të huaj gjatë viteve të fundit, kryesisht nën akuza për spiunazh apo akuza që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë.