Bota

Irani dënon sulmet amerikane në Siri!

Teherani zyrtar reagon kundër sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj forcave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit në Siri. Siç raportohet zyrtarisht, nga këto sulme mbetën të vrarë 19 persona. Uashingtoni bëri të ditur se veproi duke ndërmarrë goditjet pas një sulmi vdekjeprurës me dron ndaj forcave amerikane. Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit dënon atë që e quan “sulm terrorist i ushtrisë amerikane ndaj objektivave civile”, në rajonin lindor sirian të Deir Ezorit.

Më herët, Amerika tha se u kundërpërgjigj pasi një kontraktor amerikan u vra, ndërsa një  tjetër dhe pesë pjesëtarë të personelit ushtarak u plagosën në një sulm me dron “me origjinë siriane”, që goditi bazën e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri, tre ditë më parë.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se të paktën 19 vetë mbetën të vrarë, shumica prej tyre sirianë, pas goditjeve amerikane, mëngjesin e së premtes.

Ky grup monitorues u shpreh se reagimi amerikan nxiti të tjera sulme me raketa nga grupet e mbështetura nga Republika Islamike. Qeveria siriane që njihet për aleancën e ngushtë me Iranin, akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë “gënjyer” lidhur me shënjestrat e sulmeve ajrore duke pretenduar se këtë e bënë “për të justifikuar aktin e tyre të agresionit”.

Amerika numëron rreth 900 trupa ushtarake në mbarë verilindjen e Sirisë, të vendosur aty për të luftuar mbështetësit e mbetur të grupit militant Shteti Islamik. Po ashtu janë për të përkrahur Forcat kurde Demokratike Siriane, që kontrollojnë thuajse gjithë verilindjen e Sirisë. Në jo pak raste, personeli amerikan në Siri ka qenë shënjestër e sulmeve nga grupet për të cilët Uashingtoni thotë se “mbështeten nga Teherani”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane, Nasser Kanani, tha se prania e trupave amerikane “nuk është e ligjshme” dhe sipas tij “shkel ligjin ndërkombëtar e sovranitetin kombëtar” të Sirisë. Sa i përket pranisë së forcave iraniane në territorin sirian, vuri në dukje se u bë me kërkesën e Damaskut zyrtar.