Bota

Irani e konsideron “të skaduar” akordin me ANEB-in mbi monitorimin bërthamor!

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Baqer Qalibaf tha sot se “Ka skaduar marrëveshja tre-mujore mes Teheranit e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Monitorim Bërthamor”. Kjo përshkallëzon tensionet dhe përpjekjet diplomatike për të shpëtuar akordin e Republikës Islamike me fuqitë botërore.

Prej 22 majit dhe me përfundimin e marrëveshjes tre-mujore, Agjencia nuk ka më akses që të grumbullojë të dhëna nga kamerat që gjenden brenda ndërtesave bërthamore, siç parashikohej në marrëveshje.

Komentet e Qalibafit minojnë përpjekjet amerikane dhe fuqive të tjera botërore, që të arrijnë marrëveshje me Iranin. Teherani ka nisur pasurimin e uraniumit në nivele që tejkalojnë kufizimet e vendosura në akordin bërthamor të 2015-ës.

Më herët gjatë javës, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, ANEB bëri të ditur se po zhvillonte bisedime me Teheranin për fatin e monitorimit. Sipas të ashtuquajturit “Protokoll Shtesë” me Iranin, ANEB “mbledh dhe analizon qindra e mijëra imazhe që bëhen çdo ditë nga kamera të sofistikuara”.

Dhjetorin e kaluar, në Parlamentin iranian u miratua një projektligj që mundëson pezullimin e një pjese të inspektimeve të kryera nga OKB-ja në ndërtesat bërthamore të Iranit. Kjo nëse vendet europiane, nënshkruese të marrëveshjes së 2015-ës, nuk ofronin lehtësime deri në shkurtin e këtij viti, për naftën e sanksionet bankare.

Më pas, ANEB arriti pakt tre-mujor me Republikën Islamike, që të përdorë imazhet nga kamerat e vendosura brenda centraleve bërthamore. Por Teherani kërcënon se do t’i fshijë këto imazhe nëse nuk arrihet marrëveshje. Ende është e paqartë nëse Irani i ka fshirë imazhet e marra nga centralet bërthamore që nga muaji shkurt.