Bota

Irani i thotë “JO” hetimit të OKB-së për shtypjen e protestave të dhunshme!

Irani hedh poshtë një vendim të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, për të formuar një komitet faktmbledhës që të hetojë shkeljet e të drejtave të njeriut.  Kjo lidhur me shtypjen me dhunë të protestave antiqeveritare që shpërthyen në shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Në një seancë të posaçme të kërkuar nga Gjermania, një rezolutë u miratua me 25 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa u shënuan 15 abstenime.

Dokumenti përcakton një mision të pavarur hetimor për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran në kuadrin e protestave, kur njerëzit u ngritën kundër regjimit pasi Amini, vdiq në komisariat pasi ishte ndaluar nga Policia e Moralit se nuk e mbante shaminë e kokës në mënyrën e duhur.

Teherani fajësoi disa vende perëndimore për nxitjen e protestave, edhe pse nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimin e bërë. Gjithashtu, hedh poshtë hetimin si “një veprim kundër Republikës Islamike, nga një grup i vogël vendesh perëndimore për të imponuar një rezolutë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut kundër Iranit”.

Vdekja e 22 vjeçares Amini në Teheran, më 16 shtator shkaktoi valën e trazirave që tani kanë përfshirë të gjithë vendin. Zyrtarët thanë se ajo ndërroi jetë për shkaqe natyrale, por dëshmitarët okularë dhe familja nuk kanë dyshime se e reja u dhunua fizikisht pasi u mbajt në paraburgim nga policia famëkeqe e moralit të Iranit.

416 persona, përfshirë 51 fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë në të gjithë vendin, sipas grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHR) me qendër në Oslo.

Mes viktimave, raportohet se 83 vetë u vraë në Kurdistan, Kermanshah dhe Azerbajxhanin Perëndimor, tre provinca me popullsi të konsiderueshme kurde.

Pavarësisht reagimit të Teheranit zyrtar, shumë vende dhe grupe të të drejtave të njeriut e përshëndetën hetimin, duke thënë se “do të lehtësojë mbledhjen e provave për shkeljet e të drejtave të njeriut, që mund të çojnë në ndjekjen penale të kriminelëve në gjykatat ndërkombëtare”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin popullin e Iranit përballë këtij represioni brutal dhe punojnë për të siguruar që ata njerëz të përfshirë në shtypjen e vazhdueshme të dhunshme, të mbahen përgjegjës.

Në Twitter, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkruan:

Rezultati është i qartë: unitet për drejtësinë, për popullin e Iranit!