Bota

Irani konfirmon vizitën ‘e papritur’ të kryediplomatit të BE Josep Borrell

Irani konfirmoi të premten se Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të udhëtojë më 24 qershor për bisedime që lidhen me përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vendit të vitit 2015-të.

Sipas deklaratës së zëdhënësit të ministrisë së jashtme Saeed Khatibzadeh, Borrell do të mbërrijë në kryeqytetin iranian në mbrëmjen e së premtes përpara se të takohet me ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe zyrtarë të tjerë

“Vizita, e cila është pjesë e konsultimeve të vazhdueshme midis Iranit dhe Bashkimit Evropian, do të fokusohet në marrëdhëniet dypalëshe, disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe statusin e fundit të negociatave për heqjen e sanksioneve”, thuhet në deklaratë.

Lajmet për vizitën e Borrell vjen pasi ministri i jashtëm iranian Amir-Abdollahian tha javën e kaluar se Irani ende beson se negociatat mund të kenë sukses.

Bisedimet në Vjenë, të cilat filluan në prill të vitit të kaluar, synojnë kthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore, duke përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, dhe për të siguruar që Teherani do të respektojë plotësisht angazhimet e tij.

Negociatat u ndalën që nga muaji marsi mes mosmarrëveshjeve midis Teheranit dhe Uashingtonit, më së shumti për shkak të kërkesës së Iranit për të hequr Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike nga lista e organizatave terroriste të SHBA-së.

Amir-Abdollahian të mërkurën tha se Irani ishte “serioz” për arritjen e një marrëveshjeje në negociata.

Marrëveshja e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, (JCPOA), i dha Iranit lehtësim nga sanksionet në këmbim të garancive se nuk do të zhvillonte një armë bërthamore – diçka që Teherani e ka mohuar gjithmonë si qëllim.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018-të nën presidentin e atëhershëm Donald Trump, përpara se të vendosnin një valë sanksionesh të reja ndaj Republikës Islamike.