Irani dënon sanksionet e planifikuara të Bashkimit Europian në përgjigje të dërgimit të supozuar të raketave balistike iraniane në Rusi. Kjo thuhet në një postim të Ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi, në media sociale.
E kam thënë qartë dhe e përsëris edhe një herë: ne NUK i kemi ofruar raketa balistike Rusisë. Nëse Europa ka nevojë për një “rast” për të qetësuar shantazhin e Izraelit, më mirë të gjejë një histori tjetër.
Shtetet anëtare të BE-së kanë planifikuar të vendosin sanksionet e reja nesër. Masat ndëshkuese synojnë të shënjestrojnë kompanitë dhe individët e përfshirë në programin e raketave balistike të Republikës Islamike e dërgimin e këtyre dhe armëve të tjera në Rusi. Sanksionet do të vendosen edhe ndaj linjës ajrore shtetërore “Iran Air”.
Irani vuri në dukje se ka një bashkëpunim strategjik me Moskën, por kjo nuk kishte të bënte me luftën në Ukrainë. Teherani zyrtar pohoi se ofrimi i ndihmës ushtarake për palët ndërluftuese është çnjerëzore.
Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se me ndihmën e investimeve perëndimore, po kërkon që të zgjerojë ndjeshëm prodhimin e armëve në Ukrainën që lufton me Rusinë prej më shumë se dy vitesh e gjysmë.
Kapaciteti ynë industrial na lejon të prodhojmë shumë më shumë drone, më shumë predha dhe pajisje ushtarake nga sa lejojnë aftësitë financiare të vendit tonë. Perëndimi mund të sigurojë paratë, veçanërisht pasi shumë partnerë aktualisht nuk janë në gjendje të ndihmojnë në mënyrën e duhur Ukrainën për shkak të mungesës së armëve të tyre. Gjithashtu, disa partnerë kanë teknologji të veçanta që mund të përdoren në Ukrainë tani.
Udhëheqësi ukrainas falënderoi të gjithë ata që kanë investuar në sektorin e mbrojtjes së vendit të tij, veçanërisht në prodhimin e dronëve. Vazhdimisht shprehet se dëshiron ta bëjë Ukrainën një nga vendet prodhuese më të mëdha të armëve në botë. Ukraina është duke luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022.
Me armët e furnizuara përkrahet nga mbështetësit perëndimorë, por shpreson të rrisë në mënyrë drastike prodhimin e pajisjeve mbrojtëse në vend. Sipas burimeve ushtarake, vendi ka nevojë urgjente për armë dhe municione të reja.