Bota

Irani në zgjedhje presidenciale, pritet pjesëmarrje e ulët!

Irani voton sot për të zgjedhur Presidentin. Votimet zhvillohen në kohën e zemërimit në rritje për gjendjen e dobët të ekonomisë, e goditur rëndë nga sanksionet amerikane, keqmenaxhimi dhe pandemia koronavirus.

Favorit është Ebrahim Raisi. Kleriku 60-vjeçar i vijës së ashpër politike dhe drejtues i Gjyqësorit, pritet të zëvendësojë presidentin Hassan Rohani, i cili shërbeu dy mandate. Raisi ishte gjykatës në vitin 1988 kur në një seri gjyqesh të shpejta, mijëra të burgosur politikë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Organizatat e të drejtave të njeriut e cilësojnë fajtor “Për krime kundër njerëzimit”.

Këshilli i Gardianëve, organ i fuqishëm i vettingu-t në Iran pengoi kandidatët e moderuar të garojnë. I vetmi i moderuar i lejuar është Abdolnaser Hemmati. Para se të shkarkohej ka drejtuar Bankën Qendrore të Republikës Islamike. Me kritikat ndaj kufizimeve shtetërore, teknokrati 64-vjeçar ka marrë vëmendje ditët e fundit por jo mbështetje të gjerë.

Dy ditë më parë, dy sfidues të tjerë të Raisit nga vija e ashpër, ish-negociatori i çështjeve bërthamore Saeed Jalili dhe deputeti Alireza Zakani u tërhoqën nga gara e shprehën mbështetje për Raisin. Edhe reformatori Mohsen Mehralizadeh u tërhoq. Por gara vijon për ish-komandantin e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, Mohsen Rezai dhe Amir Hussein Ghazizadeh Hashemin, ish-nënkryetar i Parlamentit.

Në Presidencialet e sotme në Iran nuk pritet pjesëmarrje e lartë, çka ngre pikëpyetje mbi legjitimitetin e rezultatit. Sipas një sondazhi të Agjencisë Iraniane të Sondazheve të Studentëve, vetëm 42% e 59 milionë votuesve iranianë do t’i hedhin votat. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit presidenciale në 2017-ën ishte 73%. Nëse asnjëri kandidat nuk fiton një shumicë sot, dy emrat më të votuar shkojnë në raundin e dytë të votimeve. Qendrat e votimit të hapura në 07:00 të mëngjesit do të mbyllen në mesnatë.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Abdolreza Rahmani Fazli, ka pranuar se pjesëmarrja në zgjedhje “mund të jetë më e ulët, krahasuar me të mëparshmet”. Si arsye citoi konkurrencën jo të fortë dhe situatën nga koronavirusi.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, iu bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime, si dhe akuzoi “armiqtë” e vendit për dekurajimin e njerëzve për të marrë pjesë në zgjedhje.

Mediat amerikane e britanike, si dhe mercenarët e tyre po vënë në dyshim zgjedhjet, për të dobësuar pjesëmarrjen e qytetarëve!