Bota

Irani ngre tonet, paralajmëron Izraelin!

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi paralajmëroi se forcat e armatosura të vendit që drejton “do të shënjestrojnë Izraelin”, nëse zyrtarët izraelitë ndërmarrin veprime kundër Republikës Islamike. Me fjalë të drejtpërdrejta u shpreh:

Nëse ndodh lëvizja më e vogël nga ana juaj kundër shtetit të Iranit, qendra e regjimit Zionist do të jetë objektiv i forcave tona të armatosura!

Raisi nuk dha më shumë detaje, por shtoi se “Irani po ndjek nga afër çdo lëvizje të Izraelit”. Kreu i shtetit iranian i bëri këto komente sot, gjatë fjalimit të rastit në paradën vjetore të forcave të armatosura të Republikës Islamike.

Që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, Teherani vazhdon të mos e njohë Izraelin dhe mbështet grupe militante anti-izraelite, të tilla si Hamas e Hezbollah. Po ashtu, Teherani e fajëson Izraelin për sabotim të centraleve të tij bërthamore dhe për vrasjen e një shkencëtari iranian, i përfshirë në zhvillimin e këtij programi.

Siç dihet tashmë, Izraeli ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe Perëndimit, akord i arritur në vitin 2015, të cilin e përshkruan si “jo të mjaftueshëm për të reduktuar aktivitetin e programit bërthamor dhe aktiviteteve ushtarake të Iranit në mbarë rajonin”.

Gjithashtu, Izraeli e ka bërë të qartë se nuk do të jetë i detyruar nga asnjë marrëveshje e gjasat janë të larta që të ndërmarrë veprime të njëanshme kundër centraleve bërthamore iraniane. Teherani dhe fuqitë botërore po tentojnë që të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por bisedimet në kryeqytetin austriak Vjenë kanë ngecur prej javësh.

Kjo marrëveshje u vu në pikëpyetje katër vjet më parë, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej saj dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit. Që atëherë, Irani ka zgjeruar aktivitetet e tij bërthamore ndërsa Teherani vijon të këmbëngulë se nuk ka plane që të krijojë armë bërthamore.