Bota

Irani nis pasurimin e uraniumit, priten tensione me ndërkombëtarët

Irani filloi sot pasurimin e uraniumit deri në shkallën 60% pastërti, niveli më i lartë i çdo kohe. Konfirmimi i Kryetarit të Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf pason sulmin e pak ditëve më parë ndaj centralit kryesor bërthamor në Natanz, për të cilin Republika Islamike akuzoi Izraelin.

Ndërkaq, nuk jepen hollësi për sasinë që Irani planifikon të pasurojë. Por ka të ngjarë që kjo të rrisë tensionet ndërsa Teherani po negocion me fuqitë botërore në Vjenë për të gjetur rrugët që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshjen bërthamore nga e cila u larguan në 2018-ën e t’i heqin Iranit sanksionet ekonomike shkatërruese.

Televizioni Shtetëror Iranian citoi Qalibaf-in:

Vullneti i kombit iranian është mrekulli-bërës e do të ngadhënjejë mbi çdo komplot. Pasurimi i uraniumit filloi menjëherë pas mesnatës së të premtes.

Por Organizata e Energjisë Atomike e Iranit, nuk bëri pohime. Nuk është e qartë pse njoftimi u bë nga Qalibaf, ish-udhëheqës i vijës së ashpër në Rojat Revolucionare Paraushtarake, kandidat i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Iranit që zhvillohen në qershor.

Hapi e sjell Iranin më pranë objektivit për uranium me 90% pastërti, që përbën shkallën e synimeve ushtarake dhe ngushton hendekun deri në prodhimin e bombës bërthamore, edhe pse Teherani këmbëngul se nuk ka synime të tilla. Ky veprim mund të nxisë përgjigje të mëtejshme nga Izraeli.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se nuk do të lejojë kurrë Teheranin të sigurojë një armë bërthamore dhe vendi i tij ka bombarduar dy herë ato të Lindjes së Mesme për t’iu ndaluar programet bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, të tilla si prodhimi i energjisë dhe kërkimet mjekësore.