Bota

Irani zotohet për përgjigje “proporcionale” pas sanksioneve!

Irani është angazhuar të përgjigjet në mënyrë “simetrike e proporcionale” pasi Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania anuluan marrëveshjet për shërbime ajrore me Teheranin dhe u zotuan se do të sanksionojnë kompaninë e saj ajrore, Iran Air. Treshja europiane, e njohur si E3, tha dje se ka ndërmarrë masa pasi konfirmoi se Republika Islamike kishte transferuar raketa balistike në Rusi.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 10 individëve dhe gjashtë subjekteve me bazë në Iran e në Rusi, përfshirë ndaj Iran Air-it, për furnizimin e dyshuar me raketa balistike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, u shpreh se këto akuza janë “plotësisht të rreme e të pabaza”.

Veprimet e këtyre tre vendeve europiane janë vazhdimësi e politikës armiqësore të Perëndimit dhe imponimit të terrorizmit ekonomik kundër popullit të Iranit, theksoi ai në një deklaratë në Telegram. Ato do të përballen me një përgjigje simetrike dhe proporcionale, paralajmëroi ai.

Në komunikatën e përbashkët, E3 vuri në dukje se furnizimi i dyshuar me raketa balistike “është përshkallëzim i mëtejshëm i mbështetjes ushtarake të Iranit për luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës e nënkupton se raketat iraniane do të arrijnë tokën europiane, duke rritur vuajtjet e popullit ukrainas”.

Irani është goditur me sanksione disa herë që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Kjo për shkak se Moska përdor dronë iranianë, Shahed dhe Mohajer në këtë luftë. Irani vazhdon të mohojë se dronët e tij po përdoren në luftë dhe këmbëngul se nuk mban anë në këtë konflikt.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij britanik, David Lammy, dje e akuzuan Iranin edhe zyrtarisht se e ka furnizuar Moskën me raketa.

Rusia ka pranuar dërgesa të këtyre raketave balistike [iraniane] dhe me gjasë do t’i përdorë ato brenda disa javësh në Ukrainë kundër ukrainasve, tha Blinken.

Kremlini ende nuk i ka komentuar deklaratat e Blinken-it. Por, një ditë më parë, ai nuk i hodhi poshtë drejtpërdrejt akuzat se po furnizohet me raketa nga Irani duke nënvizuar bashkëpunimin me Teheranin dhe duke thënë se po zhvillon dialog me të, në të gjitha fushat. Teherani e ka mohuar se e furnizon Moskën me raketa.