Bota Botë e Çuditshme

Ironike, Zelanda e Re e refuzoi por talebanët e pranuan gazetaren shtatzënë!

Në kohët kur jetojmë ndodhin nga të gjitha, situata nga më të paimagjinueshmet e pandemia luan jo pak rol. Pikërisht për këtë temë, ka diçka për të treguar gazetarja nga Zelanda e Re, Charlotte Bellis, e cila është edhe shtatzënë. Për shkak të rregullave të forta anti-COVID që në vendin e saj zbatohen rigorozisht, Bellis nuk u lejua të hynte pas kthimit nga Katari. Historinë shumë ironike që zë fill në gusht të vitit të kaluar, zgjodhi ta tregojë vetë për “New Zealand Herald”.

Në gusht të vitit 2021, me partnerin e saj, fotografin belg Jim Huylebroek punonte për rrjetin Al Jazeera në Afganistan, por në shtator u kthye në zyrat qendrore në Doha dhe mësoi se ishte shtatzënë. Në Katar nuk lejohet të presësh fëmijë kur nuk je e martuar ndaj vendosi të udhëtonte për në Zelandën e Re. Por për shkak të masave anti-COVID iu ndalua hyrja. Atëherë iu drejtua Belgjikës ku nuk mundi të qëndronte pasi nuk kishte leje qëndrimi.

Afganistani ishte vendi i vetëm për të cilin çifti kishte vizë. Përmes kontakteve të saj, Charlotte vendosi t’i drejtohet funksionarëve të lartë talebanë e reagimi e tyre ishte:

Jemi të lumtur për ty, mund të qëndrosh këtu, nuk do të kesh asnjë problem! Gjithçka do të shkojë mirë! Thuaj që je e martuar e nëse zbulohet që nuk je, na telefono menjëherë!

Bellis, e cila në muajin maj pret të bëhet nëna e një vajze, ende nuk ka arritur të kthehet në vendlindje, në Zelandën e Re, por njoftoi se duke zgjedhur të tregojë historinë e saj, po përshpejton procedurat e hyrjes. Ministri për Emergjencën COVID në Zelandën e Re, Chris Hipkins kërkoi verifikime të menjëhershme të rastit të gazetares.