Bota

Ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel zgjidhet Presidenti i ri i Çekisë!!

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale çeke tregojnë se me rreth 80 për qind të votave të numëruara, ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel, ka fituar 56.45 për qind të votave, kundrejt ish-kryeministrit, Andrej Babish, i cili ka marrë 43.54 për qind të votave, sipas Zyrës çeke të Statistikave.

Çekët votuan sot për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.

Rezultatet e plota nga balotazhi dy-ditor priten të bëhen publike mbrëmjen e sotme. Qendrat e votimit u hapën të premten në orën 14:00 dhe u mbyllën sot në të njëjtën orë. Të drejtë vote kishin 8.3 milionë banorë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo ai i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë. Babish, 68-vjeçar, ka tentuar të portretizojë kundërshtarin e tij si luftënxitës dhe ka bërë thirrje për organizimin e një konference të paqes në Pragë.

Ndërsa Pavel ka qenë në favor të dërgimit të ndihmës në Kiev. Në rundin e parë të zgjedhjeve, rezultati mes tyre ishte i ngushtë, të dy fituan rreth 35 për qind të votave.