Politikë

Ish kryeministri Berisha lajmëron protestë pas mbledhjes së 11 dhjetorit

8 ditë nga foltorja finale, Sali Berisha ka ashpërsuar gjuhën ndaj Lulzim Bashës. Ish-kryeministri akuzoi kryetarin demokrat se ka fshehur procesin penal në Belgjikë për rolin e tij në dosjen e Toyota Yaris.

“Edi Rama të ka mbajtur peng me dosjen në Shqipëri, por në Belgjikë rezulton anëtar i organizatës kriminale. Por drejtësia belge nuk kontrollohet nga Edi Rama dhe kanë kërkuar marrjen me forcë dhe ndjekjen penale. Ai ishte thirrur 5 herë dhe në 1 tetor është thirrur sërish dhe në datën 17 dhjetor Prokurorët belg e presin në zyrën e tyre”- tha Berisha.

Teksa i kërkoi dorëheqjen, Sali Berisha paralajmëroi Lulzim Bashën se do dalin në dritë dosje të reja për të.

“Me dosjen e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Në Foltore të ndryshme e kam denoncuar dhe i kam kërkuar që të japë shpjegime për Yaris dhe Muzin. E garantoj se me radhë do të dalin edhe dosje të tjera. E garantoj se projekti i Emirateve në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca politike më e fuqishme e vendit”- vijoi Berisha.

Ish-kryeministri bëri me dije se me 11 dhjetor do miratohen ndryshimet në statut ku të sanksionohet dorëheqja e kryetarit në rast se ai humb zgjedhjet, ndërsa pas Kuvendit do thirret një protestë e madhe kombëtare për largimin e Edi Ramës.