Aktualitet

Ish-polici vret gruan pranë Gjykatës së Elbasanit, arrestohet

Elbasani u trondit sot nga një krim në familje. Një 58-vjeçar, qëlloi dhe vrau me armë zjarri kallashnikov bashkëshorten me të cilën ishte në proces divorci. Krimi ndodhi pranë Gjykatës së Elbasanit dhe u krye në përfundim të seancës gjyqësore të radhës mes çiftit.

Gjithashtu u plagosën dy persona. Autori i dyshuar i identifikuar si shtetasi Koço Buzo ka qenë polic e tentoi të largohet por u arrestua falë ndërhyrjes në kohë të uniformave blu. Viktimë mbeti Liljana Buzo, 54-vjeçe.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Elbasanit:

Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54-vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.