Aktualitet Politikë

Ish presidenti i tha ‘pula e Kuvendit’, Rama i del në mbrojtje Nikollës: Meta i hakërrehet në vend që të mbështesë kërkesën e Autoritetit

Kryeministri Edi Rama duket se i ka dalë në mbrojtje edhe kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla pas akuzave të Ilir Metës dhe sulmit publik ndaj saj pasi e cilësoi ‘pula e Kuvendit’ Ishte Nikolla që thërriti me urgjencë kryetarët e grupeve parlamentare për t’i vënë në dispozicion dosjen e Autoritetit të Dosjeve ku rezultonte se Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Meta u revoltua nga ky fakt duke thënë se nuk e kontaktoi asnjëherë atë personalisht. Ndërsa Rama thotë se Meta i hakërrehet me gjuhën e trashur si të kishte një hall të papritur në vend që të mbështesë kërkesën e Autoritetit të Dosjeve që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90

“Po fakti që në vend se ta mbështesë kërkesën e Autoritetit, për të ndryshuar ligjin që pengon hapjen e dosjeve të politikanëve të cilët janë verifikuar partizançe nga komisioni Mezini a Bezhani, Ilir Meta apo Metaj i hakërrehet kryetares së Kuvendit, me gjuhën e trashur si nga një hall i papritur, a nuk ju bën përshtypje?! Mua po.

Mos flasim pastaj për qëndrimin e mediave, në këtë vend ku liria e informimit dhe e fjalës na qenkan vërtetë të penguara, por ama jo në favor të regjimit, i cili po përpiqet të njollosë një trim tribun të vegjëlisë, po për të fshehur pas perdes së censurës historinë e një spiuni me inicialet I.M! Mua s’më çudit hiçasfare kjo, po ju?!

Ajo shprehja popullore, “Bërtet hajduti kapeni hajdutin!”, mishëron krejt eksperiencën e psikologut popull me fajtorët që kthehen në fajësues. Me kriminelët që sillen si viktima. Me tradhëtarët që pozojnë si patriotë. Me mëkatarët që flasin si inkuizitorë. Me dhunuesit që ankohen si të dhunuar. Me kusarët që hiqen si të ndershëm. Me të përdalat që aktrojnë si virgjëresha. Me plehrat që bëjnë si lule mos më prek”, shkroi Rama./shqiptarja