Ndryshe Politikë

Ish-zëdhënësja e Sali Berishës, Erla Mëhilli: “Edi Rama ta shet sapunin për djathë!”

Ish- zëdhënësja e ish-kreut të PD-së, Sali Berishës, Erla Mëhilli ishte e ftuar ditën e sotme në ‘Ndryshe’ në një intervistë me plot humor dhe të pathëna rreth saj.

Edhe pse tanimë jo në pozicionin e zëdhënëses së ish-kryeministrit, njerëzit sërish e quajnë si të tillë pasi ka qenë një detyrë që e ka ushtruar jo pak por për plot 12 vite. Si ndihet Mëhilli për këtë gjë dhe sa e ndikon kahu politik në punën e saj të tanishme në televizion.

Vazhdoj të jem Erla e Berishës se në fakt PD është Berisha siç e kemi parë dhe e kemi kuptuar. Afeksionin ndaj Sali Berishës nuk është se e kam treguar, po Lulzim Bashën nuk e e kam ftuar (qesh). Jo nuk jam shumë e shkëputur emocionalisht nga politika. Pozicioni im i zëdhënëses nuk ka qenë shumë i pëlqyer. Sali Berisha për këtë pozicion është shumë kërkues, e vetmja që kam mbijetuar kaq shumë unë kam qenë vetëm. 

Mëhilli, gjithashtu na tregoi një tipar të Ramës, të cilin nuk e ka Berisha.

Propagandën. Komunikimin publik e ka mjeshtëri. Janë dy tipa krejt të ndryshëm. Berisha i ndan njerëzit, ose e urren atë ose e do, nuk ka të mesme. Me Ramën është ndryshe, është pak më popullor në gjuhë. Për propagandë është absolut, mund të ta shesë sapunin për djathë.

Mëhilli na tregoi edhe se si e sheh të ardhmen e saj në televizion tanimë dhe për çfarë është penduar gjatë karrierës së saj politike.

Mund të rikthehesha edhe pa qenë ministre po nuk shoh asgjë për momentin te politika që të më joshi. E shijoj televizionin, ka vështirësitë e veta, është një treg jo shumë stabël. E shoh afatgjatë. Do më pëlqente një ‘show’, por politikën e kam timen edhe pse mund të bëja diçka të tillë, pse jo.
Nuk do t’i ripërsërisja më deklaratat politike pak të forta. Sot që jam vetë prind, nuk do t’i ribëja. Ka ca gjëra që nuk duhet të shkelen, pra familjarët. Ka qenë shumë e tepruar.