Aktualitet Bota

Ish-zyrtari i FBI-së me lidhje me Shqipërinë, McGonigal mohon akuzat duke u deklaruar i pafajshëm!

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal u deklarua i pafajshëm në gjykatë, lidhur me akuzat se ka marrë para’ nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve e lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera. Siç vihet në dukje në akt-padi, ndër të tjera ai ka patur kontakte të shumta me biznesmenë, ish-zyrtarë e zyrtarë shqiptarë.

Në një seancë të gjykatës së Uashingtonit që zgjati më pak se 15 minuta dhe ku i pandehuri McGonigal mori pjesë virtualisht, u ra dakord që të gjykohet në gjendje të lirë e që seanca e ardhshme të mbahet në një moment të dytë. Kryesisht, seanca u përqendrua në detajet teknike të procesit.

Më herët, nuk pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se shkeli sanksionet amerikane ndaj Rusisë, duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit deri kur u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 e ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë e Bosnje-Hercegovinën. Akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë e ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë e Bosnje, por pa i raportuar sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish-zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Akt-padia e bërë publike nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar ku thuhej se ish-zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” botoi kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish-zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, “shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari email-i e pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare, si dhe ka qenë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”

Sërish referuar dokumentit të jurisë së madhe, personi tjetër që duhej marrë në pyetje është Dorian Duçka, ish zv.ministër i Energjisë dhe më pas konsulent i pavarur. Personi A dhe Personi B, sipas akt-padisë, “ishin miq e partnerë biznesi me njëri-tjetrin”.

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] dhe me Personin B [Dorian Duçka]. Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”.

Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeminstri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

Sipas akt-padisë, pas këtij udhëtimi në Shqipëri në shtator, “i pandehuri McGonigal ka mbajtur një miqësi të vazhdueshme me Kryeministrin”.

Nga shtatori 2017 deri në mars 2018, McGonigal dhe Rama janë takuar 4 herë në Shqipëri e në SHBA. Gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal u prezantua nga Personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin.

Disa javë pas këtyre takimeve, më 5 tetor 2017, jashtë një restoranti, në një makinë të parkuar në Nju Jork, McGonigal mori afro 80 mijë dollarë cash nga Personi A. Po atë vjeshtë, ai mori edhe dy pagesa të tjera nga Personi A në shumat 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë në rezidencën e banorit A. McGonigal i la të kuptohej Personit A se paratë do t’ia kthente.

Sipas akt-akuzës, McGonigal i kishte kërkuar Personit A nëse ai mund t’i siguronte një sasi parash që në gusht të vitit 2017 dhe një muaj më pas në shtator, ata kishin diskutuar përsëri rreth përpjekjeve të Personit A që t’ia siguronte paratë dhe që Personi A t’ia jepte ato pjesë-pjesë.

Dy muaj pas vizitës në Shqipëri, më 18 nëntor 2017, McGonigal së bashku me një prokuror nga Departamenti i Drejtësisë, takuan dhe morën në intervistë në Austri, biznesmenin-politikan, që ai e kishte takuar në shtator në Shqipëri. Personi A mori pjesë në këtë takim si përkthyes.

Intervista e bisnesmenit-politikan nuk është raportuar dhe nuk figuron në dokumentet e FBI-së. Në të njëjtën ditë të intervistimit në Austri, po më 18 nëntor, McGonigal dhe biznesmeni-politikan, janë takuar edhe në Shqipëri, por këtë herë pa praninë e prokurorit të Departamentit të Drejtësisë. Sipas akt-padisë “politikani-biznemsmen diskutoi me të pandehurin McGonigal dhe Personin A për mundësi biznesi”.

Më 19 nëntor, i pandehuri takohet me Personin B për darkë dhe një ditë më pas më 20 nëntor takohet me kryeministrin.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan që ishte regjistruar për lobim “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por, më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me Personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A e kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e  McGonigal. Më pas, Personi A u identifikua si burim konfidencial në mbështetje të hetimit. Personi A i ka ofruar informacione zyrës së FBI-së në Nju Jork gjatë hetimit.

Më pas, Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Europë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve.

Më 25 qershor 2018, i pandehuri McGonigal i ka propozuar Personit A që të nënshkruajë një kontratë me një individ nga Bosnja të indentifikuar si Personi D, që në kompaninë e Personit A të depozitoheshin 500 mijë dollarë nga Personi D dhe firma e tij farmaceutike, për të mundësuar një takim mes Personit D e një përfaqësuesi të delegacionit amerikan në OKB.

Ndërkohë që në muajin prill, McGonigal ishte takuar në Gjermani me dy individë nga Bosnja, Personin C dhe Personin D, të cilët kishin kërkuar të takoheshin me ambasadoren amerikane në OKB-së ose ndonjë zyrtar tjetër të lartë për një çështje politike për Bosnje-Hercegovinën.