Aktualitet

Ismail Kadare 87-vjeç, arkivat i publikojnë dorëshkrimin e romanit të parë!

Ismail Kadare sot feston 87-vjetorin e lindjes. Ai lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër dhe djali nga qyteti i gurtë u bë shkrimtari i madh, me famë botërore. Kandidat për Nobelin në Letërsi e fitues i “Man Booker Prize” dhe “Princi i Asturias”, në Francë është vlerësuar si “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” nga presidenti Macron. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sot publikoi kopjen e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama”.

“Qyteti pa reklama” që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003 përbën të parën vepër të rëndësishme të Ismail Kadaresë në prozë, ndërsa prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë. Shpesh ky mendim shprehet me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Vlerësohet se e veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin nga një këndvështrim i ri i temës historike e në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë. Një nga krijimet më të shquara të Kadaresë e letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981).

Në vjeshtën e vitit 1990, Ismail Kadare largohet nga Shqipëria për t’u vendosur në kryeqytetin e Francës, Paris. Largimin e përligji me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan veprimin e tij, ndërsa nuk e ndali krijimtarinë.

Nga viti 1990, vepra e Kadaresë do të bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Pas vitit 1990, letërsia e autorit gjenial ka të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike e shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Kësaj i shtohet liria e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

E përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të huaja, vepra e Kadaresë ka bërë të njohur historinë dhe kulturën shekullore shqiptare.