Bota

Italia dhe Rumania të parat në Europë që nisin vaksinimin anti-COVID të adoleshentëve!

Italia dhe Rumania nisin sot vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit, duke u bërë vendet e para të Bashkimit Europian që nisin këtë prices për moshat mbi 12-vjeç. Një ditë më parë, Komisioni Europian miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech.

Javën e kaluar, dritën jeshile e dha Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA. Secili nga 27 vendet anëtare të Unionit mund të vendosë nëse do ta zgjerojë ose jo fushatën e vaksinimit me përfshirjen e adoleshentëve. Vendet e tjera në Europë pritet të ndjekin shembullin e Italisë e të Rumanisë me vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit. Disa prej tyre mund të vazhdojnë t’u japin përparësi të rriturve dhe fëmijëve me probleme shëndetësore.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te ata mbi 12-vjeç. Pavarësisht zhvillimeve pozitive në Europë dhe Amerikë, koronavirusi mbetet kërcënim i madh në kontinente të tjera. Malajzia nisi sot “izolimin total” dy-javor për shkak të përkeqësimit të situatës. Infeksionet janë në rritje edhe në Tajvan e Vietnam, shoqëruar me ashpërsim të masave.

Në Amerikën Latine, vdekjet nga koronavirusi vazhdojnë të bëjnë problem në Brazil, Meksikë e Peru. Sipas Universitetit Amerikan “Johns Hopkins” që përditëson të dhënat lidhur me pandeminë, COVID-19 ka goditur mbi 170 milionë njerëz në të gjithë botën. Më shumë se 3.5 milionë prej tyre ndërruan jetë. Numri i vaksinave të aplikuara deri tani ka kaluar shifrën 1.8 miliard.