Bota

Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme/Përfundimisht, Mario Draghi dorëhiqet si kryeministër!

Italia në ethe, Mario Draghi i dorëzoi dorëheqjen Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella dhe kësaj here është përfundimtare, nuk ka më kthim pas. Vendi fqinj në mënyrë të pashmangshme do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ekonomisti i njohur, i cili në krye të qeverisë italiane qëndronte nga shkurti i vitit të kaluar e ofroi edhe javën e kaluar dorëheqjen, pasi koalicioni i tij qeveritar u shpërbë. Por, Mattarella nuk ia pranoi dhe kjo javë u bë vendimtare për drejtimin që do të marrë kriza qeveritare në Itali.

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane u pati thënë ligjvënësve italianë se mbetet i përgatitur të qëndrojë si kryeministër, por kishte një kusht që kjo të ndodhte: vetëm nëse partitë qeverisëse në konflikt, bashkoheshin pas tij. Sot kreu i qeverisë së Romës bëri të ditur vullnetin  përfundimtar personal, që edhe në këtë rast ishte dorëheqja.

Me 95 vota pro dhe 39 kundër, një natë më parë 74-vjeçari Mario Draghi fitoi votimin në Romë. Por, tre partitë kryesore, Lega, Forza Italia dhe Lëvizja Pesë Yjet (M5S), nuk morën pjesë në votim, duke i kthyer shpinën, pa i mundësuar unitetin e shumëpritur për të ecur përpara e shmangur votimet e parakohshme.

Rezultati i pakënaqshëm bëri që Draghi t’i paraqesë dorëheqjen presidentit, Sergio Mattarella për herë të dytë brenda një jave, pasi ai refuzoi ta pranonte të enjten e kaluar, por sot e pranoi.

Një muaj më parë, mnistri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio u largua nga Lëvizja “Pesë Yjet”, pas disa javësh konfliktesh të brendshme dhe njoftoi krijimin e partisë “Së bashku për të ardhmen”. Ky njoftim erdhi pas mosmarrëveshjeve politike me ish-kryeministrin e kryetarin aktual të lëvizjes, Giuseppe Conte lidhur me çështje që përfshijnë dërgesat e armëve në Ukrainë. 35-vjeçari Di Maio mbështeti Mario Draghin, pro armatimeve për të ndihmuar Ukrainën të luftojë rusët.