Bota

Italia fqinje konfirmon rastin e parë me variantin Omicon të koronavirusit!

Në Itali, njoftohet zyrtarisht evidentimi i të parit rast me variantin Omicron të koronavirusit. Eshtë fjala për një qytetar, që në vendin fqinj kishte hyrë përmes aeroportit të Milanos, nga Mozambiku dhe pas dyshimeve të para, u vendos në karantinë, në pritje të analizave. Ndërkaq, rezulton i vaksinuar me dy doza të vaksinës anti-COVID. Në këtë rast, “pacienti zero” italian është një 55-vjeçar, punonjës i një kompanie ndërkombëtare. Ai ka shfaqur simptoma të lehta.

Në aeroportin e Malpensas iu nënshtrua tamponit e për shkak se rezultoi pozitiv, autoritetet u alarmuan. Nisur nga fakti që Omicron është variant i evidentuar në Afrikën e Jugut, udhëtarët nga vendet afrikane po mbahen nën montitorim të rreptë.

Në Europë, rastet me Omicron konfirmohen deri tani edhe në Belgjikë, Gjermani e Britaninë e Madhe ku po vendosen masa të reja, me qëllim frenimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit. Sipas autoriteteve shëndetësore, “ka gjasa” që vaksinat ekzistuese të jenë më pak efektive ndaj Omicron-it. Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se të gjithë personat që hyjnë në Britani, duhet të bëjnë test për koronavirus.

Ne do të kërkojmë nga të gjithë personat që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, të bëjnë test PCR dhe të hyjnë në karantinë nëse rezultojnë pozitivë. Po kështu, edhe personat e kontaktit.

Londra zyrtare do të ashpërsojë rregullat për mbajtjen e maskës e pritet të përshpejtojë programin e imunizimit me doza përforcuese.

Kur është identifikuar Omicron?

Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë identifikuar një numër të vogël të rasteve me variantin B.1.1.529, në disa mostra të marra më 14-16 nëntor. Më 24 nëntor, informuan qeverinë se janë të shqetësuar nga ajo që kanë parë dhe i kërkuan Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të formojë një grup teknik për të vlerësuar fazat e zhvillimit të virusit.

Afrika e Jugut identifikoi rreth 100 raste me këtë variant, kryesisht në Gauteng e mund të jetë i pranishëm në 8 provinca të tjera. Më 25 nëntor, niveli i ditor i infektimit, thuajse u dyfishua, duke shkuar në 2.465. Raste raportohen edhe në Botsvana, Hong Kong, Izrael.

Pse shkencëtarët janë të shqetësuar?

Për variantin e ri thuhet se ka më shumë se 30 mutacione në proteinën që viruset e shfrytëzojnë për të hyrë në qelizat e njeriut. Numri i mutacioneve është dyfish më i madh në krahasim me ato që ka Delta, çka e bën këtë virus shumë më ndryshe prej atij origjinal, të shfaqur në dhjetor të 2019-ës në Wuhan të Kinës e për të cilin janë krijuar vaksina. Shkencëtarët e Afrikës së Jugut thonë se disa mutacione lidhen me rezistencë ndaj antitrupave neutralizues e përhapje më të madhe. Megjithatë, studimet vijojnë, pasi ende nuk është thënë fjala e fundit.