Bota

Italia i vetmi shtet në Europë që rrit importet e naftës ruse!

Edhe pasi Bashkimi Europian vendosi që deri në fund të vitit të zvogëlojë importet e naftës së papërpunuar ruse me 90 për qind, Italia bëhet shteti i vetëm në Europë që i ka rritur. BE-ja vendosi paketën e re të sanksioneve ndaj Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe tashmë, embargoja ndaj naftës ruse vë në rrezik një prej rafinerive më të mëdha të Italisë, që gjendet në Siçili e mund t’i japë goditje të ndjeshme ekonomisë italiane.

Me partnerët e Unionit, vendi fqinj ra dakord të zvogëlojë importet e naftës së papërpunuar ruse deri më 2023-in, një lëvizje që kryeministri italian, Mario Draghi e quajti “sukses të plotë” e që “disa ditë më parë as që do të ishte e pabesueshme”. Pavarësisht sanksioneve të mëhershme ndaj Rusisë, rafineria italiane e naftës në Siçili, në pronësi të kompanisë ruse, Lukoil, çuditërisht ka rritur prodhimin nga 15 në 100 për qind të naftës së papërpunuar ruse.

Italia është shteti i vetëm që ka rritur importet e naftës në Europë, ndërsa pas pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, u bë importuesja e tretë më e madhe e naftës ruse. Para pushtimit ishte e gjashta në Europë.

Vëzhguesi i tregut financiar në Zvicër, FINMA, zgjat deri në muajin gusht ndalesën ndaj bankës më të madhe ruse, Sberbank. Njoftimi u dha sot. Ndërkohë, ndalesa e pengon të kryejë pagesa e transaksione, si dhe përfshin të tjera masa, të krijuara për të mbrojtur kreditorët. FINMA vendosi kufizime ndaj filialit të Sberbank-ut në Zvicër më 4 mars, pas pushtimit rus të Ukrainës, duke iu bashkuar shumë shteteve perëndimore që sanksionuan Moskën.

Më pas, autoritetet zvicerane vendosën që këto masa të zgjateshin deri më 31 maj, por vendimi i sotëm bën që të jenë në fuqi deri më 2 gusht. Zvicra, shtet neutral iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, më 28 shkurt, vetëm 4 ditë nga nisja e agresionit rus në Ukrainë. Këto sanksione përfshinin ngrirjen e aseteve e shënjestrimin e rusëve.