Bota

Italia vazhdon masat kundër çmimit të lartë të naftës

Qeveria italiane ka vazhduar masat për të zvogëluar shpenzimet për konsumatorët, pas rritjes së mprehtë të çmimeve të naftës, ka thënë sot (2 maj) Qeveria në Romë . Italia do të vazhdojë të mbështesë konsumatorët deri më 8 korrik.

Një ulje e taksave do të ndikojë në ulje të çmimit për konsumatorët për gati 30 centë për litër. Edhe çmimi për gaz metani do të ulet po ashtu.

Qeveria pati marr vendim për të zbatuar këtë masë nga marsi në maj, pas rritjes së çmimeve që janë pasojë e shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

Cili do të jetë ndikimi nëse Evropa heq dorë nga nafta ruse?

Evropa po përpiqet që të gjejë mënyra që të mos i paguajë më Rusisë 850 milionë dollarë çdo ditë për energji dhe për të goditur sektorin financiar të Kremlinit për shkak të pushtimit të Ukrainës. Udhëheqësit e 27 shteteve të Bashkimit Evropian po e kuptojë se heqja dorë nga varësia prej dekadash e naftës dhe gazit rus, nuk është një çështje e thjeshtë.

Furnizimet me gaz dhe naftë po vazhdojnë në Evropë edhe pse qeveritë kanë dënuar luftën në Ukrainë. BE-ja dërgon 450 milionë dollarë çdo ditë në Rusi për naftë dhe 400 milionë dollarë në ditë për gaz natyror, thuhet në llogaritjet e bëra nga analistët e organizatës Bruegel, me seli në Bruksel.

Kjo nënkupton se fitimet nga energjia po forcojnë buxhetin e Kremlinit, duke shtuar rezervat e valutës së huaj edhe pse sanksionet perëndimore kanë shënjestruar rezervat që Rusia ka jashtë vendit. Qeveria ruse ka fituar mesatarisht 43 për qind të të ardhurave të saj nga nafta dhe gazi nga viti 2011 dhe 2020.

Evropa është blerësja më e madhe e naftës së papërpunuar ruse, duke pranuar 138 milionë tonë më 2020 nga 260 milionë tonë sa ishte totali i eksporteve ruse – apo 53 për qind, sipas Rishikimit Statistikor të Energjisë Botërore. Evropa, e cila importon pothuajse të gjithë naftën e saj të papërpunuar, merr një të katërtën e kërkesës së saj për naftë nga Rusia.

Nafta përpunohet në lëndë djegëse për ngrohje, por edhe për ngasjen e makinave. Gjithashtu, ky produkt përdoret edhe si lëndë e parë në industri.