Bota

Italia zgjedh sot Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella nuk rikandidon!

Italia pritet të ketë një president të ri të Republikës, pas mbarimit të mandatit të kreut aktual të shtetit, Sergio Mattarella. Duke filluar nga ora 15:00, mbi 1 mijë anëtarë të dy dhomave të Parlamentit: Dhomës së Deputetëve dhe Senatit do të votojnë së bashku me përfaqësues të rajoneve dhe provincave autonome, Presidentin e ri të Republikës.

Tradicionalisht nuk ka kandidatë zyrtarë në garë, por kryeministri aktual Mario Draghi është konsideruar prej kohësh favorit për postin më të lartë të shtetit. Duke qenë se nuk mund t’i mbajë të dyja pozicionet, negociatat vijojnë prej javësh në Romë, mbi mënyrën si të procedohet me qeverinë e tij, ku pothuajse të gjitha partitë kryesore janë të përfaqësuara në Parlament.

Kujtojmë se ish-kryeministri Silvio Berlusconi u tërhoq nga gara të shtunën. Manjat i medias, miliarder e tre herë kryeministër i Italisë, Berlusconi, i cili hyri në politikë gati 30 vjet më parë, kërkonte t’i shtonte karrierës së tij edhe detyrën e kryetarit të shtetit, por pa sukses. Më herët, ish-kryeministri Enrico Letta, i cili kryeson Partinë Demokratike, kritikoi vendimin e qendrës së djathtë për të mbështetur Berlusconin, pasi e konsideroi “një zgjedhje thellësisht të gabuar”.

Çdo lider politik është përçarës, por kur mendojmë për Silvio Berlusconin, në historinë e këtyre 25 vjetëve, e vështirë të gjesh për një shef politik më përçarës se ai.

As partitë e djathta dhe as spektri i majtë nuk kishin rënë dakord për një kandidat të përbashkët deri dje, çka e bën të pamundur një vendim në ditën e parë të votimit, pasi kërkohet një shumicë prej dy të tretash për të patur emrin.

Në Itali, deputetët, senatorët dhe përfaqësuesit e 20 rajoneve, zgjedhin Presidentin e Republikës. Për të fituar, një kandidati i duhen dy të tretat e votave në tre raundet e para të votimit. Në të katërtin, një shumicë e thjeshtë është e mjaftueshme.