Bota

Izrael/ Dhjetëra mijëra protestues kundër reformës në drejtësi!

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan sërish në Izrael kundër reformës së planifikuar të gjyqësorit.

“Protestat nuk kanë shfaqur shenja ngadalësimi, pasi në disa qytete u raportuan një numër rekord pjesëmarrësish”, sipas medias izraelite.

Vetëm në qytetin bregdetar të Tel Avivit, rreth 200 000 demonstrues dolën në rrugë, ndërsa në Haifa rreth 50 000.

Gjithashtu, u zhvilluan edhe tubime kundër reformës së diskutueshme në Jerusalem, Beersheba, Eilat dhe disa qytete të tjera.

Sipas organizatorëve, gjithsej gjysmë milioni njerëz protestuan në të gjithë vendin.

Policia thuhet se ka arrestuar një gazetar të gazetës “Haaretz”. Në një postim të gazetarit ai e quante kryeministrin Benjamin Netanyahu një “diktator” dhe e këshillonte të mos udhëtonte në Berlin, javën e ardhshme.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier shprehu gjithashtu shqetësimin për transformimin e ligjit të së drejtës të planifikuar në Izrael.

Pak ditë më parë, presidenti izraelit Isaac Herzog foli publikisht kundër planeve të qeverisë fetare të krahut të djathtë për herë të parë. Ai tha se reforma në drejtësi ishte e gabuar, represive dhe se minonte themelet demokratike të Izraelit.