Bota

Izrael, mandatohet Benjamin Netanyahu/28 ditë kohë për formimin e qeverisë së re!

Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, siguroi mandatin për të formuar qeverinë e re, duke i hapur rrugë rikthimit në pushtet. Ekzekutivi i ri pritet të jetë administrata më e djathtë që Izraeli ka pasur ndonjëherë. Pas një krize të paprecedentë politike në Izrael, shtet ku në më pak se katër vjet janë mbajtur pesë palë zgjedhje, votimet e 1 nëntorit i dhanë Netanyahut dhe aleancës së tij të ekstremit të djathtë një shumicë të qartë në Parlamentin prej 120 vendesh. Gjatë ceremonisë të mbajtur në Jerusalem, presidenti izraelit, Isaac Herzog deklaroi:

Kam vendosur që juve Benjamin Netanyahu, t’ju detyrën për formimin e qeverisë.

Duke pranuar mandatin, Netanyahu, 73 vjeç, u zotua se do të shërbejë për të gjithë izraelitët:

Për ata që na votuan dhe ata që s’na votuan, kjo është përgjegjësia ime.

Netanyahu, i cili po përballet në gjyq me akuza për korrupsion, tani do të ketë 28 ditë për të formuar koalicionin qeverisës me aleatët, dy parti ultra-ortodokse hebreje dhe një aleancë në rritje e ekstremit të djathtë, e quajtur Sionizmi Fetar.

Herzog theksoi se është i vetëdijshëm që Netanyahu po përballet me drejtësinë.

E di faktin që ka procedura ligjore që po vazhdojnë ndaj zotit Netanyahu në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit. Por, precedentët e fundit e kanë bërë të qartë që Netanyahu mund të shërbejë si kryeministër e të përballet me organet e drejtësisë.

Netanyahu pritet që të njoftojë së shpejti për formimin e koalicionit qeverisës. Itamar Ben-Gvir e Bezalel Smotrich, bashkëdrejtues të bllokut të Sionizmit Fetar, publikisht kërkuan të drejtojnë dy ministri kyçe, atë të Sigurisë Publike e Mbrojtjes. Kjo kërkesë vjen në kohën e dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve.

Gjatë mandateve të kaluara të Netanyahut në krye të qeverisë izraelite ka dështuar procesi i bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme dhe janë zgjeruar ndërtimet e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.