Bota

Izrael, parlamenti votoi pro normalizimit të raporteve me Arabinë

Parlamenti i Izraelit votoi në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe. Votimit i parapriu një debat maratonë me mbi 100 fjalime që zgjatën më shumë se 8 orë. 80 deputetë votuan pro akordit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, 13 ishin kundër.

Kryeministri Benyamin Netanyahu tha se “Kjo marrëveshje historike do t’i afrojë me të tjera vende në Lindjen e Mesme”.  Gjithashtu, zbuloi se për herë të parë,  Izraeli ka vendosur kontakte me një shtet tjetër në rajon por nuk e bëri të ditur emrin.

Emiratet e Bashkuara Arabe në gusht u bënë shteti i tretë arab që vendosi marrëdhënie me Izraelin, pas Egjiptit më 1979 dhe Jordanisë më 1994.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshje të njëjtë me Izraelin nënshkroi edhe Bahrejni. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja u zyrtarizuan në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.

Marrëveshjet u kundërshtuan nga palestinezët si një “tradhti”.