Bota Travel

Izraeli dhe Greqia me marrëveshje për udhëtimet e të vaksinuarve!

Në përpjekje për të ringjallur turizmin e dëmtuar nga pandemia, Izraeli dhe Greqia janë dakorduar për një marrëveshje që do u mundësojë qytetarëve të vaksinuar të udhëtojnë pa kufizime, sapo të rinisin fluturimet. Athina zyrtare po tenton në këtë mënyrë të tërheqë turistë izraelitë që t’i kalojnë pushimet në Greqi pa asnjë kufizim.

Por marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pasi një përqindje e konsiderueshme e popullsisë izraelite të jetë vaksinuar. Deri tani Izraeli ka vaksinuar më shumë se 3.5 milionë banorë nga nëntë milionë që ka popullsinë.

Izraeli njihet për fushatën më të shpejt në botë të vaksinimit. Greqia ka rreth 11 milionë banorë, por ka vaksinuar më pak se 360 mijë. Ditën e dielë Izraeli filloi të lehtësonte masat e izolimit kundër koronavirusit të vendosura që nga dhjetori i vitit 2020. Shteti hebre ka regjistruar rreth 696.000 raste me koronavirus dhe 5,171 vdekje nga sëmundja COVID-19.