Bota

Izraeli do të sulmojë pikat ushtarake dhe energjike në Iran?!

Zyrtarët amerikanë në Shtetet e Bashkuara besojnë se tashmë Izraeli i ka ngushtuar objektivat në përgjigjen e tij të mundshme ndaj sulmit të fundit të Iranit me raketa, por që shumica u bllokua me sukses duke mos depërtuar sistemin “e hekurt” të mbrojtjes izraelite. Kështu raporton rrjeti televiziv amerikan NBC, duke përmendur mundësinë e shënjestrimit të instrastruktrës ushtarake e asaj të energjisë gjithashtu.

Rajoni i Lindjes së Mesme vazhdon që të jetë i alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës në kohën kur Izraeli po lufton ashpër grupet militante të mbështetura nga Teherani, Hezbollahun në Liban, si dhe Hamasin palestinez në Gaza e që është shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit është deklaruar “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara e pjesërisht edhe nga Bashkimi Europian që në listën e zezë ka vetëm krahun e armatosur, por jo partinë. Kjo e fundit përfaqësohet me një deputet në Parlamentin e Libanit.

Në mënyrë të përsëritur, Izraeli ka vënë në dukje se do të përgjigjet ndaj sulmit të Iranit, të kryer në fillim të muajit. Ai sulm erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Gaza e në Liban, si dhe vrasjeve të liderëve me peshë të Hamasit e të Hezbollahut.

Nuk ka sinjale që shteti hebraik po mendon edhe që të shënjestrojë zonat bërthamore apo të kryejë vrasje individuale, siç ka raportuar rrjeti NBC, duke cituar zyrtarë amerikanë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Sipas raportimeve të fundit, Izraeli ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se kur dhe si do të veprojë. Konflikti mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut ka nisur një vit më parë, kur Hezbollahu filloi të lëshonte raketa drejt veriut të Izraelit, që pas nisjes së luftës në Gaza.

Hezbollahu raportoi sot se është duke luftuar forcat izraelite që po përpiqen të infiltrohen në fshatin Ramja, në jug të Libanit. Në anën tjetër, ushtria izraelite konfirmon se po vazhdon operacionet në jug të territorit Libanez në vijim të misionit për të shkatërruar atë që e quan “infrastrukturë terroriste”.